Rritet përqindja e papunësisë në Gjermani

  • 30 October 2019 - 10:36
Rritet përqindja e papunësisë në Gjermani

Shkalla e papunësisë në Gjermani në tetor është rritur më shumë sesa është pritur. Besohet se kjo ka ardhur si pasojë e krizës në sektorin e prodhimit.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Punës, numri i personave të papunë në Gjermani gjatë këtij muaji u rrit për gjashtë mijë dhe shkoi në shifrën e përgjithshme prej 2 milionë e 287 mijë persona.

Megjithatë, përqindja e papunësisë nuk ka ndryshuar shumë. Ajo mbetet 5.0 për qind, që është pak më shumë se rekordi më i ulët prej 4.9 për qind, i cili u shënua më herët gjatë këtij viti.

“Dobësia e tanishme ekonomike është duke i lënë shenjat e veta në tregun e punës. Por mbi të gjitha, tregu i punës ende po dëshmohet i qëndrueshëm”, tha drejtori i Zyrës Federale të Punës, Detlef Scheele.

Ndryshe, ekonomia gjermane është më e madhja në Evropë. Ajo varet mjaft shumë nga eksporti, sidomos në sektorin e prodhimit të veturave, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)