Zyrtarët e Mitrovicës bëjnë homazhe për ushtarin e FSK-së që ndërroi jetë dje

  • 30 October 2019 - 12:33
Zyrtarët e Mitrovicës bëjnë homazhe për ushtarin e FSK-së që ndërroi jetë dje

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Faruk Mujka, dhe drejtorët komunalë, sot kanë bërë homazhe tek Kazerma e FSK-së “Minatori”, në shenjë nderimi me rastin e vdekjes së nënkolonelit Baki Ejupi, i cili dje ka ndërruar jetë nga një sulm kardiak.

Në kazermën e FSK-së “Minatori”, homazhet janë bërë me nderime të larta ushtarake, në praninë e një numri të madh të përfaqësuesve institucional, qytetarë të shumtë, si dhe miq e familjarë. 

Me këtë rast kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta, për familjarët dhe bashkë ushtarakët e nënkolonelit Ejupi, duke vlerësuar atë si shembull i një ushtaraku të zellshëm dhe me plot motiv për punë.

Në fund të homazheve, Bahtiri së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kanë vendosur edhe kurora me lule, për të përkujtuar figurën e lartë të nënkolonelit, për përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar si ushtar lirie.

Varrimi i Baki Ejupit do të bëhet sot në orën 15:00 në fshatin Sekiraqëtë Komunës së Podujevës.

Image

(Kosova Sot Online)