Rusia teston raketën ndërkontinentale nga nëndetësja e re bërthamore

  • 30 October 2019 - 14:01
Rusia teston raketën ndërkontinentale nga nëndetësja e re bërthamore

Rusia e ka testuar hedhjen e një rakete balistike ndërkontinentale të tipit “Bulava” për herë të parë nga një nëndetëse e re me energji bërthamore. Raportohet se raketa e goditi cakun mijëra kilometra larg vendit të nisjes. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Ky test u krye në kohën kur janë rritur tensionet mes Moskës dhe shteteve perëndimore lidhur me garën e re të armatimit. Për më tepër, vitin e kaluar, Rusia u tërhoq nga një traktat me Shtetet e Bashkuara për ndalimin e zhvillimit të armëve bërthamore.

Lëshimi i raketës u bë nga ujërat e Detit të Bardhë, në pjesën veriore të territorit të Rusisë, ndërsa raketa më pas ka udhëtuar drejt lindjes së largët, në rajonin Kamchatka.

Nëndetësja “Knyaz Vladimir” është modeli i parë i modernizuar në llojin 955A. Ajo do të bëhet pjesë e Flotës Veriore të Rusisë në fund të këtij viti pasi t’i përfundojë të gjitha testet për hedhjen e armëve.

E vetmja marrëveshje në fuqi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për kontrollimin e armëve tashmë është traktati “Start”, i cili e kufizon numrin e kokave bërthamore për të dyja shtetet, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)