Analiza e fortë: Dështimi i madh, ky është mashtrimi dhe paralajmërimi për Kosovën

  • 31 October 2019 - 07:31
Analiza e fortë: Dështimi i madh, ky është mashtrimi dhe paralajmërimi për Kosovën

“Kur të flasim për Kosovën dhe çështjen e liberalizimit të vizave, e tërë faji nuk mund të ju hedhet shteteve të caktuar në BE të cilat po e kundërshtojnë këtë proces, por faji kryesor duhet kërkuar në Prishtinë, për faktin se qeveria e kaluar por edhe ato më parë, përpos premtimeve dhe afateve të rrejshme për liberalizim të vizave, që më shumë i bënin për ta mashtruar opinionin vendor dhe për t’ia tërhequr vëmendjen nga skandalet korruptive, nuk kanë arritur për ta bindë askënd me rezultate sa I përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e integrimeve evropiane, tanimë janë plotësisht të sigurte që Kosova edhe për një kohë, do të vazhdojë të mbetet vendi i vetëm i izoluar në rajon pa të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë në vendet e BE-së. E krejt kjo për shkak të ngecjes në plotësimin e kriterit bazë për liberalizimin e vizave, që është lufta kundër krimit e korrupsionit. Pra, kosovarët, edhe këtë vit do ta përmbyllin pa e festuar fundin e tij me heqjen e regjimit të vizave për udhëtim në zonën shengen.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online” analisti politik, Nexhat Haziri.

Sipas Hazirit, në bllokimin e këtij procesi, përveç dallimeve brenda vendeve të BE-së, përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet e shtetit të Kosovës që nuk u treguan serioze dhe të përkushtuara në përmbushjen e kritereve me kohë sipas kërkesave të BE-së, sidomos para se të mbaheshin zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Image
Nexhat Haziri

“Tashmë shihet qartë se brenda BE-së ka divergjenca të mëdha sa I përket zgjerimit të bllokut me anëtarë të ri, siç ishte kundërshtimi i nisjes së bisedimeve dhe dhënia e statusit kandidat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë, ky diskurs negative është edhe sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nëse shihet ky disponim aktual në Bruksel, jo i favorshëm sa i përket këtij procesi, me keqardhje duhet të themi se Kosova, do t’i kaloj edhe këto krishtlindje pa “dhuratën” e shumë pritur. Kur të flasim për Kosovën dhe çështjen e liberalizimit të vizave, e tërë faji nuk mund të ju hedhet shteteve të caktuar në BE të cilat po e kundërshtojnë këtë proces, por faji kryesor duhet kërkuar në Prishtinë, për faktin se qeveria e kaluar por edhe ato më parë, përpos premtimeve dhe afateve të rrejshme për liberalizim të vizave, që më shumë i bënin për ta mashtruar opinionin vendor dhe për t’ia tërhequr vëmendjen nga skandalet korruptive, nuk kanë arritur për ta bindë askënd me rezultate sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Pika më e dobët, që sipas Nexhat Hazirit konsiderohet e dështuar, por që është kërkesë kyçe e BE-së për liberalizimin e vizave, ka të bëjë me krimin e korrupsionin e nivelit të lartë politik.

“Kosova ka dështuar në fushën e sundimit të ligjit, për vet faktin se nuk kemi pasur asnjë proces gjyqësor kundër zyrtarëve të lartë të involvuar në krim dhe korrupsion, e në anën tjetër kemi pasur zyrtar të lartë më akuza dhe procese të tjera gjyqësore duke ushtruar poste të larta si në qeveri, kuvend dhe institucione të tjera, gjë që ka bërë që vendi të shënoj regres edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, gjë që kjo më pas ka prodhuar edhe imigrim të qytetarëve në shtete e BE-së dhe numrin e madh të azilkërkuesve”, shtoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Për ta shpërthyer këtë bllokadë, sipas Hazirit, duhet të dëshmohet përkushtimi i qeverisë së re për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në nivelin e lartë politik, atë të “jakave të bardha”.

“Andaj qeverisë së re ë mbetet shumë punë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, sidomos kjo do të matet me rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe hapat konkret në fushën e zhvillimit ekonomik. Brukseli nuk do të na bëj asgjë dhuratë, këto janë vetëm mashtrime”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)