Ministri Mustafa nënshkroi në Bruksel marrëveshjen për zbatim të planit kundër terrorizmit

  • 31 October 2019 - 10:40
Ministri Mustafa nënshkroi në Bruksel marrëveshjen për zbatim të planit kundër terrorizmit

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka nënshkruar sot në Bruksel Marrëveshjen për zbatim të Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare ministri në detyrë Ekrem Mustafa ka nënshkruar Marrëveshjen për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorimit për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Ministri në detyrë Mustafa ka falënderuar Komisionerin Avramopoulos për mbështetjen e tij të vazhdueshme në proceset integruese të Republikës së Kosovës dhe në forcimin e kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit.

“Ministri theksoi se Kosova si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS por edhe duke u bazuar në obligimet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është treguar partnere e besueshme e Bashkimit Evropian në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

“Më tutje, ministri Mustafa e njoftoi Komisionerin Avramopoulos rreth zbatimit të programeve të deradikalizimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit”.

Komisioneri Avramopoulos përgëzoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për veprimin e guximshëm të treguar me rastin e kthimit të qytetarëve nga zonat e konfliktit dhe inkurajoi institucionet që të vazhdojnë me punën profesionale dhe zbatimin e Planit të Përbashkët.

Marrëveshja e nënshkruar sot buron nga Plani i Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor i nënshkruar nga Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor me 5 tetor 2018 në Tiranë. Në këtë marrëveshje parashihen pesë objektiva dhe aktivitete specifike që do realizohen në vitin 2019 dhe 2020 në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. 

(Kosova Sot Online)