Sot nuk fillon numërimi i votave me postë

  • 31 October 2019 - 10:54
Sot nuk fillon numërimi i votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme që e detyron KQZ-në të numërojë 4.639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për media se proceduralisht numërimi i këtyre fletëvotimeve nuk mund të nisë sot.

”Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dijmë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, ka thënë Elezi.

I njejti ka shtuar se pasi të kryhet ky vlerësim, do të numërohen fletëvotimet.

”Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara. Në fund, vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, është shprehur Valmir Elezi.

(Kosova Sot Online)