Daka: Na pëlqeu s’na pëlqeu jemi të obliguar ta zbatojmë vendimin e Supremes për votat e diasporës

  • 31 October 2019 - 12:06
Daka: Na pëlqeu s’na pëlqeu jemi të obliguar ta zbatojmë vendimin e Supremes për votat e diasporës

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me numërimin e 4639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Daka në një konferencë për media ka thënë se s’ka nevojë të komentohet aktgjykimi i Supremes, dhe se KQZ është e obliguar që t’i numërojë këto fletëvotime.

“Tashmë e kemi një aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës. Mendoj që s’ka nevojë me komentu këtë aktgjykim. Kemi obligimin dhe nuk besoj që kemi çka me shtu sa i përket këtij aktgjykimi. Na pëlqeu, s’na pëlqeu aktgjykimi tashmë është në duart tona dhe e kemi detyrim ligjor që ta zbatojmë ashtu qysh është. Me siguri që do ta zbatojmë.  Unë nuk e komentoj asnjë aktgjykim të askujt, sidomos të Gjykatave, meqenëse edhe vetë jam gjyqtare”, ka thënë Daka. 

Ndryshe, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në të cilën kërkohej edhe numërimi i votave të ardhura më vonesë nga diaspora, Gjykata Supreme ka pranuar një ankesë të tillë si të bazuar dhe ka marrë vendim përmes të cilit e detyron KQZ-në që të rinumërojë 4 mijë e 369 votat të cilat kishin ardhur nga diaspora pas datës 6 tetor.

(Kosova Sot Online)