Reagon DnV: Vendimi i Supremes mund ta dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor

  • 31 October 2019 - 15:26
Reagon DnV: Vendimi i Supremes mund ta dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor

Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura nga diaspora të rinumoërohen. Kësisoji, KQZ’ja është e detyruar t’i numërojë 4 mijë e 369 votat e ardhura pas datës 6 tetor nga diaspora. Por, këtë vendim të Supremes nuk po e përkrah Demokracia në Veprim.

Përmes një komunikate, DnV’ja thotë se vendimi i Supremes për rinumërim të votave të diasporës mund ta dëmtojë integritetin zgjedhor.

“Ne vlerësojmë që vendimi i Gjykatës Supreme për pranimin dhe vlerësimin e këtyre pakove si të rregullta, ndonëse është i zbatueshëm, është jo i drejtë dhe përbën një precedent që mund ta ndikojë negativisht mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në Kosovë”, thuhet në reagimin e DnV’së.

Tutje, DnV’ja thotë se duke marrë në konsideratë kompleksitetin e krijuar lidhur me votimin jashtë vendit në këto zgjedhje, DnV kërkon që kjo çështje të jetë një nga prioritetet kryesore që duhet të adresohet në kuadër të reformës zgjedhore.

Vendimi i Supremes u mor pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në të cilën kërkohej edhe numërimi i votave të ardhura më vonesë nga diaspora.

Kjo ishte hera e dytë që Vetëvendosje ankohet lidhur me votat e ardhura me vonesë nga diaspora. Duke qenë se herën e parë, PZAP-ja kishte refuzuar vendimin e Supremes lidhur me rastin e njëjtë.

(Kosova Sot ONline)