Debakli i madh, kërkohet largimi i Shpend Ahmetit

  • 31 October 2019 - 16:12
Debakli i madh, kërkohet largimi i Shpend Ahmetit

“Edhe pse vakuumi ligjor në vend ia mundëson qeverisjen në komunën e Prishtinës, pas debaklit të thellë në zgjedhje dhe procesit të shkuarjes së PSD-së në shuarje si parti politike, është edhe një arsye më shumë për të kërkuar largimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës, për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar të ri ose emërimin me konsensus politik të një kryesuesi të ri, deri në zgjedhjet e reja”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Pas debaklit të madh dhe humbjes së Shpend Ahmetit në zgjedhjet parlamentare së bashku me PSD-në, analistët politikë kërkojnë me këmbëngulje që Prishtina të bëhet me një kryetar tjetër të ri, dhe të shkohet në zgjedhje të reja ose të emërohet një kryesues me marrëveshje politike të partive që përfaqësohen në asamblenë komunale, deri në zgjedhjet e reja.

Për këtë opsion të zgjidhjes që duhet të ndodhë tani, foli për “Kosova Sot Online” analisti politik, Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit Zeqa, mungesa e profilizimit i skenës politike dhe mospërfillja e linjave programore me rastin e lidhjes së koalicioneve, ka bërë që partitë më shumë të humbin sesa të fitojnë nga koalicionet e panatyrshme, humbje që e pësoi edhe AAK si pasojë e koalicionit me PSD-në.

“Grupi i të arratisurve nga LVV-ja, pa program, pa vizion dhe pa plan organizativ u futën nën gërmadhat e PSD-së së Kaqusha Jasharit. Duke mos e pasur guximin për të garuar të vetëm në zgjedhje, "zogjtë shtegtar" të PSD-së ia mësyn AAK-së, kasolles së madhe në emër, por të vogël në përmasat e saj të Ramush Haradinajt. Pas dëmit që i shkaktoi PSD-ja në zgjedhje, partia e Haradinajt ka vendosur të shkëpus bashkëpunimin me Shpend Ahmetin, duke paraqitur kushte të reja, pra i ofron bashkëpunim vetëm nëse ky subjekt politik si PSD shuhet dhe mbetja e saj anëtarësohet, shkrihet në AAK”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Mirëpo, sipas analistit Zeqa, pas debaklit të madh të PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e Shpend Ahmetit dhe grupi i dezertorëve mashtrues nga VV-ja, janë duke shkuar drejt humbjes së plotë të identitetit politik dhe përfaqësues, pra drejt shuarjes si subjekt politik.

Prandaj sipas Zeqës, me këtë shuarje, shuhet edhe legaliteti i qeverisjes me Prishtinën në emër të PSD-së inekzistente, që nuk do të duhej lejuar si praktikë e mbrapshtë që ka ndodhur edhe në të kaluarën në komuna të tjera.

“Praktika e ardhjes në pushtetin lokal përmes një partie dhe vazhdimi i qeverisjes nga një parti tjetër kishte filluar me Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë, me Agim Bahtirin në Mitrovicë dhe Shpend Ahmetin në Prishtinë. Edhe pse vakuumi ligjor në vend ia mundëson qeverisjen në komunën e Prishtinës, pas debaklit të thellë në zgjedhje dhe procesit të shkuarjes së PSD-së në shuarje si parti politike, është edhe një arsye më shumë për të kërkuar largimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës, për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar të ri ose emërimin me konsensus politik të një kryesuesi të ri, deri në zgjedhjet e reja”, përfundoi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)