Gashi i LDK’së pas takimit me VV’në, Gjykata Speciale mbetet

  • 31 October 2019 - 17:35
Gashi i LDK’së pas takimit me VV’në, Gjykata Speciale mbetet

Në ditën kur grupet punuese të LDK-së e Vetëvendosjes diskutuan për sundimin e ligjit, ish-deputeti Arben Gashi që morri pjesë në takim tha se Dhomat e Specializuara ose Gjykata Speciale duhet të vazhdojnë të ekzistojnë. Ky qëndrim i Lidhjes Demokratike nuk përkon me atë që kishte deklaruar për këtë çështje para se të fitonte zgjedhjet lideri i VV-së, Albin Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosje, saktësisht grupet punuese të dy partive kanë diskutuar në takimin e katërt me radhë për sundimin e ligjit.

Megjithatë, me të dalë nga takimi, asnjë fjalë nuk u fol për Gjykatën Speciale, derisa, ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi u pyet nga gazetarët.

Gashi tha se Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë që të kryejnë punën e tyre e funksionimin sipas ligjeve të Kosovës.

“Dhomat e Specializuara funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës por me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtare, kjo është marrë si vendim i institucioneve të Kosovës dhe për ne këto dhoma duhet të ekzistojnë dhe ta kryejnë punën e vet”, deklaroi Gashi.

Së fundmi Gjykata Speciale pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit është bërë krye temë jo vetëm sa i përket ftesave që po i dërgojnë, mirëpo, edhe për deklaratat që i kishte dhënë për këtë temë kreu i VV-së, që doli si më i votuari nga zgjedhjet.

Kurti kishte deklaruar se nëse ai do të bëhet kryeministër, do të zhbëjë Gjykatën Speciale, derisa për këtë çështje ka folur edhe pas 6 tetorit. I njëjti ka thënë se është e pamundur shfuqizimi i saj, pasi që duhem mbi 80 deputetë përfshirë edhe serbët.

 “PDK-ja e ka mbështetur vazhdimisht, me ndonjë përjashtim. Dhe tashmë Gjykata Speciale është tashmë kategori kushtetuese. Është për të ardhur keq që kemi Gjykatë Speciale. S’mund të zhbëhet ajo, sepse duhet mbi 80 deputetë, përfshirë edhe serbët”, kishte deklaruar Kurti, i pyetur për këtë temë.

Reagime ndaj Kurtit për Gjykatën Speciale kanë bërë edhe nga Organizata e Veteranëve. Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se Kurti duhet të mbajë premtimin që kishte bërë për shfuqizim Gjykatës Speciale.

Mandati pesë vjeçar i Gjykatës Speciale do të skadojë me 30 qershor të vitit 2020.

Deri më tani nga kjo Gjykatë janë ftuar për intervistim si dëshmitarë, e si dëshmitarë të dyshuar, mbi 200 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë është paralajmëruar që gjatë këtij muaji do të ngritën edhe aktakuzat e para.

(Kosova Sot Online)