Pse Kurti nuk do ta takojë Palmerin, VV thotë se ka shkuar jashtë por nuk tregon ku

  • 01 November 2019 - 11:19
Pse Kurti nuk do ta takojë Palmerin, VV thotë se ka shkuar jashtë por nuk tregon ku

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti nuk do të takohet sot me Zëvendësndihmësin e sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer që sot po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Nga partia e Kurtit po thonë se i njëjti është jashtë shtetit, mirëpo, nuk tregojnë ku.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit të SHBA-së, njëherësh përfaqësues special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, po qëndron sot në vizitë zyrtare në Kosovë, nga ku është paraparë që të takohet me liderë të vendit.

I njejti do të flasë edhe para një publiku të përbërë nga student dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosoëvs, kanë njoftuar ambasada amerikane në Prishtinë.

Përveç kësaj, Palmer do të takohet edhe me liderë të vendit, përfshirë këtu takimin me Ramush Haradinaj që veçse ka nisur në ambasadën e Amerikës në Prishtinë, derisa, në mesditë pritet që i njejti të takohet me Thaçin. Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti i Presidentit, sipas të cilit takimi do të mbahet në orën 13.30.

Palmer ndërkaq nuk do të takohet me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin që doli si më i votuari nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Media  për këtë çështje ka kontaktuar sekretariatin për media në VV, derisa, të njejtët janë deklaruar se nuk do të ketë vizitë për arsye se Kurti ndodhet jashtë shtetit.

“Është një vizitë jashtë vendit, që ka qenë e planifikuar kohë më parë”, kanë deklaruar nga VV-ja, mirëpo, që nuk kanë bërë të ditur se në cilin vend ndodhet Kurti.

Ndryshe, vizita e Palmerit në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.

Para ardhjes në Kosovë, Palmer qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut. 

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit të SHBA-së, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor

(Kosova Sot Online)