E gjitha çfarë ndodhi dhe çfarë u tha gjatë qëndrimit të Palmer në Kosovë

  • 02 November 2019 - 07:27
E gjitha çfarë ndodhi dhe çfarë u tha gjatë qëndrimit të Palmer në Kosovë

Zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet një nga prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e re përveç se duhet të punojë për interesat e popullit, duhet të gjallërojë negociatat e dialogut. Kështu u shpreh sot zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Duke përmendur rëndësinë e dialogut me Serbinë, ai ka deklaruar se ky vend duhet të ndalojë fushatën e saj për stimulimin e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

I ngarkuari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, para studentëve kosovarë pasditen e së premtes, ka thënë se zgjidhja e dialogut me Serbinë, mbetet prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Palmer: Zgjidhja e dialogut me Serbinë, mbetet prioritet i ShBA-së.

“Zgjidhja një herë e përgjithmonë mes Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin këtu dhe më gjerë dhe në rajon, sepse do t’i çliroj të dy vendet Kosovën dhe Serbinë nga trashëgimia e armiqësive që shterr fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hap mundësi ekonomike. Do t’ia mundësoj udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë për t’ua kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës të popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese”, ka thënë Palmer.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në Kosovë më 6 tetor, për çka tha se sytë e botës do të shikojnë se çfarë do të bëjë qeveria e re.

“Me zgjedhjet e mbajtura me 6 tetor keni treguar rëndësinë demokratike, dhe këto zgjedhje kanë vërtetuar rëndësinë e garës zgjedhore dhe të zërit të popullit. Dhe përderisa numërimi i votave po finalizohet është e qartë se opinioni publik i Kosovës votoi për ndryshim. Dhe duket qartë se votuesit zgjodhën partinë që shprehën parimet të qarta kundër korrupsionit si dhe parime për zhvillimin ekonomik më të madh dhe më të fokusuar. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përqafojnë këto qëllime. Ne e nxisim qeverinë e re për të parë mundësinë e normalizimit si përforcues të kësaj agjende, e jo si diçka që garon kundër kësaj. Sytë e botës do të  shikojnë se çfarë do të bëjë qeveria e re. Asaj i duhet një koalicion qeverisës që përfaqëson popullin me një zë koherent me objektiva reale dhe plan. ShBA-të kanë qenë të qarta shpresojmë të shohim një Qeveri të gatshme për të adresuar si sfidat e jashtm e ashtu edhe të brendshme”, ka shtuar Palmer.

Para studentëve kosovarë dhe shoqërisë civile, Palmer ka thënë se qeveria e re duhet të gjallërojë negociatat e dialogut, për çka u zotua se ShBA-të do të përkrahin sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës. Krahas kësaj tha se shtetësia e Kosovës është e pathyeshme.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se partnerët të fortë me SHBA,  ju e meritoni botën,  BE-në , NATO-n dhe OKB-n , ju meritoni integrim të plotë ndërkombëtar  dhe njohjen e Kosovës si  e pavarur.  Ju nuk e meritoni të qëndroni prapa SHBA-së por krahë për krahë si partner, dhe kjo mund të arrihet me dialog me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Ai dy fjalë pati edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po pretendon udhëheqësin e ekzekutivit.

“Pritjet e mia për Kurtin duke supozuar që do të bëhet kryeministër është se do të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se do të punojë ngushtë me neve në kërkim të objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm Kosovën, por edhe për ShBA-të, dhe ta integrojë atë në të menduarit e vetë dhe do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave përfshirë edhe për çështjen e adresimit të taksës, e cila është bërë një pengesë. Përse nuk jam takuar sot me të, nuk është këtu, dhe jam takuar para dy ditëve në Shkup. Kemi pasur rastin që të ulemi dhe të bisedojmë, sepse njifemi që sa e sa vite”, u shpreh Palmer.

Derisa ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ai ka theksuar se ky proces ofron mundësi më të madhe ekonomike. Ai tha se bizneset ngurojnë të investojnë në Kosovë, për shkak se ekziston përceptimi se ky vend është ende në konflikt dhe i rrezikshëm.

Krahas kësaj, ai tha se Serbia duhet të ndalojë stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin e organizatave.

“Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj për stimulimin e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Serbia duhet të ndalojë bezdisjen e serbëve të Kosovës, pjesëtarë të institucioneve të Kosovës, duhet të ndalet retorika e pandërprerë e konfrontimit. Dhe këto masa veç se e kanë prishur atmosferën për një marrëveshje kompromisi, e cila i duhet Serbisë për të përmbushur, potencialin e saj të plotë. Presidenti Vuçiq dhe pjesa më e madhe e Serbisë  e dinë Serbia kurrë nuk do të hyjë në BE, nëse nuk e zgjidh kontestin e kamotshëm me Kosovën. Kur refuzojnë të pranojnë Kosovën si fqinje e jo si pronë, atëherë do të ketë ngecje ndaj të cilës Serbia humbet edhe politikisht, edhe ekonomikisht”, ka deklaruar Palmer para studentëve kosovarë.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, derisa është pyetur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ShBA-së nuk i takon për të përcaktuar afatin kohor për marrëveshje përfundimtare, për këtë tha se duhet të vendosin vetë palët.

(Kosova Sot Online)