Humbësit e zgjedhjeve s’japin dorëheqje, vazhdojnë të mbesin Shefa partiakë

  • 02 November 2019 - 13:12
Humbësit e zgjedhjeve s’japin dorëheqje, vazhdojnë të mbesin Shefa partiakë

Isa Mustafa, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj po vazhdojnë të mbesin shefa të partive pavarësisht se kanë shënuar humbje të zgjedhjeve nacionale. Asnjëri prej tyre s’ka dhënë shenja se mund të lëshojnë rrugë për shkak të rezultateve të dobëta.

Hashim Thaçi ende s’ia ka kërkuar zyrtarisht ose përmes njerëzve të tij dorëheqjen Kadri Veselit pse shënoi edhe një humbje në skenën politike të Kosovës.

Lideri aktual i PDK’së ka arritur rezultat të keq zgjedhor duke e renditur për herë të parë partinë e tij pas Vetëvendosjes dhe LDK’së.

PDK ka shënuar rekord të keq të humbjeve edhe në nivel lokal. Është partia e tretë, po ashtu, me pesë komuna nën udhëheqje.

Mirëpo, Veseli po vazhdon të mbetet Shef i PDK’së dhe ka dhënë shenja se do të mbetet të paktën kryetar partia deri në zgjedhjet lokale.

Deri më tash vetëm Sami Lushtaku i ka kërkuar përgjegjësi për rezultatin e keq zgjedhor. Por, ka thënë se me Veselin do të flasë posa të këndellet nga humbja.

Zyrtarët tjerë kanë heshtur. S’kanë kërkuar fare përgjegjësi dhe as dorëheqje të liderit të tyre që shënon vetëm humbje prej se ka hyrë në PDK disa vite pasi e kishte shuar SHIK’un.

Lideri i LDK’së po vazhdon të mbetet edhe Isa Mustafa, i cili ishte ngjitur në krye të Partisë duke sharë SHIK’un, Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe kishte përfunduar në koalicion me ta.

Kryetari i rizgjedhur i Partisë që në dhjetor mbush 30 vjet s’e ka shënuar asnjë fitore prej se mori udhëheqjen e LDK’së nga Fatmir Sejdiu në nëntor të vitit 2010.

Ish-kryetari i Prishtinës ka shënuar vetëm humbje prej atëherë. Por, ka qëndruar në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka humbur zgjedhjet e vitit 2011 duke dalë partia e dytë. LDK e dyta kishte dalë edhe më 2014. Prapa PDK’së kishte dalë edhe më 2017.  Dështoi edhe herën e fundit më 2019 duke dalë prapa Lëvizjes Vetëvendosje.

Isa Mustafa ka humbur edhe garën për Kryetar të Prishtinës nga njeriu i pestë i Vetëvendosjes.

Tash, humbësi i katër palë zgjedhjeve po synon të bëhet Shef i Shtetit, në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

LDK përpos pozitës së Kryeministrit po synon të marrë edhe Kryetarin e Parlamentit, Ministrinë e Jashtëm, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Një ditë më parë, Isa Mustafa tha se nëse s’merren vesh me Vetëvendosjen do të shkojnë në opozitë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Nënkryetari i  Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, kishte thënë se LDK lakohet lehtë dhe përshtatet në secilin koalicion. E kishte krahasuar Partinë e Mustafës me plastelinë.

Sikurse zyrtarët e PDK’së edhe ata të LDK’së s’kanë kërkuar përgjegjësi nga lideri i partisë për humbjet e njëpasnjëshme.

Ish-Komandanti i UÇK’së, Ramush Haradinaj, ka shënuar edhe një rezultat të keq zgjedhor. Është renditur i katërti. Natyrshëm, askush s’ia ka kërkuar dorëheqjen pasi në këtë parti ka edhe vëllain dhe disa familjarë tjerë.

Te NISMA për Kosovën s’ka pas kush t’ia kërkojë dorëheqjen Fatmir Limajt, i cili është ka merret me kalimin e pragut. Për këtë dështim s’ka folur as Jakup Krasniqi njëri prej eksponentëve të NISMA’s që ka qenë kritik edhe për veprimet partiake.

Në gjithë këtë situatë s’dihet ku është Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli, i cili shënon humbje në zgjedhje por arrin rezultate në tavolinën e negociatave për koalicion. Në Qeverinë e fundit ndërmjetësuesi i koalicionit, Hashim Thaçi ia kishte ofruar pesë ministri AKR’së por në fund i ishin dhënë vetëm katër pasi s’kishin pasur njerëz për gjithë këto pozita. Në fund mbeten vetëm me një deputet.

Shpend Ahmeti ka dhënë shenja se mund të japë dorëheqje nga PSD’ja dhe të marrë përgjegjësinë. Por, as aty s’ka kush ta zëvendësojë pasi gjithë kanë dështuar në zgjedhjet e fundit.

Më 2013, Ahmeti nëpër tubime partiake deklaronte se pa Vetëvendosjen s’është kërkushi. Dhe, në zgjedhjet e fundit u dëshmua kjo deklaratë.

“Na s’jem vet, une si Shpend Ahmeti kerkushi s’jom pa Vetëvendosjen, kërkushi hiq”, deklaronte Ahmeti.

(Kosova Sot Online)