Mjekët i marrin seriozisht fjalët e Kurtit se do t’i lë veç me nga një vend pune

  • 03 November 2019 - 12:16
Mjekët i marrin seriozisht fjalët e Kurtit se do t’i lë veç me nga një vend pune

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se mjekët në Kosovë duhet të zgjedhin nëse duan të punojnë në sektorin publik apo në atë privat, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2013 u kishte dhënë të drejtë mantel bardhëve që të punojnë në të dy sektorët. E nëse Kurti insistion në realizmin e planit të tij, mjekët kosovarë po paralajmërojnë edhe masa të tjera.

Po i paralajmëron mjekët që të bëhen gati për përzgjedhje në mes të publikut apo privatit. Mjekët kosovarë këtë mesazh e kanë marrë gjatë javës që po e lëmë pas nga ana e kandidatit për kryeministër nga VV’ja, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se qeverisja e ardhshme e Kosovës nuk do të lejojë që mjekët të punojnë edhe në spitalet private, si dhe në ato publike në të njëjtën kohë.

“Nuk do të lejojmë më që mjekët t’i marrin pacientët nga spitalet publike dhe t’i akomodojnë ata në ordinancat e tyre private pas orarit të punës”, ka thënë Kurti.

Por, të indinjuar me këto deklarata po shprehen mjekët kosovarë. Ata sot po deklarojnë se ligjshmëri për cështjen e orarit të punës në privat apo publik, ka dhënë vite më para Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Nga Oda e Mjekëve  të Kosovës po deklarohen se një vendim i tillë nga ana e Kurtit do të ishte i pranueshëm, nëse do të vlente për të gjithë sektorët.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese ka marr një vendim ku janë hedhur poshtë nenet e  Ligjit për Shëndetësi përmes së cilëve u ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në të dy sektorët, dhe këtë bazuar në nenin 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i obligueshëm për tu respektuar nga të gjitha institucionet. Prandaj për të ndryshuar këtë Aktgjykim duhet ndryshuar praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Sjedoi.

Megjithatë, Sejdiu pranon se në mesin e mjekeve, ekzistojnë të atillë që i dërgojnë pacientët nga institucionet publike në ato private për përfitime personale.

 “Problemi është i shtruar në dy nivele, pse vetëm mjekët, pse jo edhe tjerat profesione. Pse një profesor ka të drejtë të bëj mësim edhe në privat edhe në publik, pse mjeku jo pse një ekonomist punon në institucione publike, pasdite është kontabilist i kompanisë së madhe, ose një jurist ne kompani private, ka qene një tentim’’, ka thënë Pleurat Sejdiu.

Por, në krah Albin Kurtit i ka dal një ish ministër i shëndetësisë. Ferid Agani, thotë se një ndarje e tillë ka qenë e nevojshme qysh në vitin 2013. 

“Kjo ndarje ka qenë e nevojshme qysh atëherë. Ka qenë një metodë e mirë për të arritur dy qëllime, parandalimin e korrupsionit në institucionet publike shëndetësore, sepse punësimi i njëkohshme në të dy institucionet e ka edukua në mënyrë të dokumentuar dhe ka arritur këtë shkallë të korrupsionit”, ka thënë Agani.

Agani shtoi se pacientët në një mënyrë kanë qenë të keqpërdorur nga disa mjek të papërgjegjshëm. Ish ministri mendon se kjo gjë ka rrënuar besimin e qytetarëve në sistemin publik.

Ligji për Shëndetësi ishte miratuar në vitin 2012, por një nen i tij ishte kundërshtuar në Kuvendin e Kosovës, duke bërë që një grup i deputetëve t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, përmes një kërkese për pezullimin e katër neneve 18, 19, 41 dhe 60, të ligjit në fjalë.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese në vitin 2013, kishte miratuar pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për Shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kreu i saj, Albin Kurti, ka paralajmëruar që mjekët duhet të përcaktohen nëse duan të punojnë në institucionet publike shëndetësore apo ato private. Ndërkohë, mjekët këtë paralajmërim të Kurtit e konsiderojnë të paarsyeshëm dhe të padrejtë.

(Kosova Sot Online)