Johnson i kërkon falje partisë së vet për shtyrjen e Brexit-it

  • 03 November 2019 - 12:29
Johnson i kërkon falje partisë së vet për shtyrjen e Brexit-it

Kryeministri i Britanisë së Madhe dhe kryetari i Partisë Konservatore, Boris Johnson, u ka kërkuar falje anëtarëve të kësaj partie për mosrealizimin e premtimit për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Ai tha se kjo shtyrje është e dhimbshme dhe për keqardhje të thellë, sepse i ka sjellur vendit edhe më shumë paqartësi.

Johnson vazhdimisht ka thënë se Brexit-i do të përfundonte në fund të muajit tetor. Madje, ai kishte deklaruar se më parë do ta mbyste veten në një pus, sesa ta shtynte afatin e këtij procesi. Megjithatë, ai në fund kërkoi nga BE-ja që Brexit-it të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. 

Sipas tij, shtyrja e largimit nga BE-ja nuk është e dhimbshme për shkak të egos së tij, por për shkak se bizneset dhe familjet nuk kanë mundur të bëjnë plane pasi nuk e kanë ditur se kur do të kryhet Brexit-i.

I pyetur se sa mund t’i besojë populli për realizimin e Brexit-it, ai tha: “Mos i harroni rrethanat në të cilat ndodhi shtyrja. Ajo ndodhi për shkak se kuvendi e miratoi aktin e dorëzimit”.

Kryeministri britanik gjithashtu e përsëriti qëndrimin se Partia Konservatore nuk do të bëjë marrëveshje me Partinë e Brexit-it para zgjedhjeve, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)