A do t’i ndalojë Kurti 2 milionë euro që shkojnë kot për qira të Qeverisë

  • 03 November 2019 - 14:13
A do t’i ndalojë Kurti 2 milionë euro që shkojnë kot për qira të Qeverisë

Rreth 2 milionë euro shpenzohen çdo vit nga buxheti i shtetit vetëm për qiratë e objekteve private, ku janë të vendosura institucionet shtetërore. Qiraja më e lartë është për objektin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave. Aktualisht, në të tilla objekte funksionojnë 17 institucione. Media iu sjell listën e këtyre institucioneve dhe koston e qirasë vjetore.

Listës së ministrive që janë të vendosura në objekte me qira brenda këtij muaji do të iu bashkohet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Objekti ku ishte e vendosur deri tash kjo ministri do të kalojë në shfrytëzim të Presidencës së Kosovës.

Shtëpia e re e kësaj ministrie do të jetë një objekt afarist në Prishtinë te ndërtesa e ish-Ramiz Sadikut, derisa kostoja mujore e qirasë do të jetë 41 mijë euro.

“Objekti gjendet në Prishtinë, tek ndërtesa e ish-Ramiz Sadiku, ndërsa kosto mujore do të jetë 41,000.00 euro”, ka thënë Drejtori i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në MKRS, Feim Molliqaj. 

Në objekte të tilla funksionojnë tash e sa vite edhe Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Integrimit dhe ajo e Zhvillimit Rajonal. Përveç ministrive, në objekte private zhvillojnë punën edhe 10 institucione tjera.

Vendosja e këtyre institucioneve në të tilla objekte i kushton buxhetit të shtetit miliona euro çdo vit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Shteti ka paguar rreth 1 milion e 700 mijë euro.

Buxhetin e shtetit e rëndon më së shumti qiraja e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave.

Në bazë të listës që ka siguruar media nga Ministria e Administratës Publike, qiraja vjetore e ATK’së është 384 mijë euro, përkatësisht 32 mijë euro në muaj. Ndërkohë, qiraja e MF është 347 mijë euro.

Goxha para në vit shpenzohen edhe për qiranë e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencinë Kosovarë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Ndërkohë, më së paku para harxhohen për qiratë e objekteve ku janë të vendosura Instituti Pedagogik i Kosovës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Zyra e Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina. 

Në vitin 2008 – 2015, Qeveria e atëhershme e kishte hartuar një Plan Strategjik që parashihte që shumë institucione të kalonin nga objektet private në ato publike.

Ndonëse në një masë kjo është arritur, ku shumë institucione kanë zënë zyrat e UNMIK’ut, prapë Qeveria paguan me miliona euro qira.

(Kosova Sot Online)