Denoncimi i rëndë: Prokuroria ka dështuar, shpëtim vetëm Vetting-u

  • 04 November 2019 - 07:31
Denoncimi i rëndë: Prokuroria ka dështuar, shpëtim vetëm Vetting-u

“Sistemi j drejtësisë, dhe kryesisht prokuroria dhe gjykatat, janë shumë të dështuara. Këtu dhe në këtë drejtim prinë prokuroria e cila ka shumë përgjegjësi për lulëzimin e krimit dhe të korrupsionit. Suksesi i prokuroreve të Prokurorisë së Kosovës nuk varet nga numri i padive të paraqitura, por nga suksesi qe tregon prokuroria nëpër gjykatat e vendit. Deri tani pothuajse shumica e padive të prokurorëve po dështojnë tërësisht nëpër gjykata”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Gjatë muajve të fundit, opinion publik ka filluar të bombardohet në baza ditore me raporte për ngritjen e aktakuzave të reja nga prokuroria e Kosovës në të gjitha nivelet, e që numri i tyre shkon deri në 100 të tilla, e ku përfshihen me dhjeta e qindra persona.

Por në këto raporte nuk ka të dhëna të detajuara për rastet e specifikuara, për më shumë transparencë dhe për të krijuar besimin e qytetarit se diçka serioze dhe e vlefshme po ndodhë në sistemin e drejtësisë.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, e kanë kritikuar këtë lloj komunikimi jo transparent të organit të akuzës me qytetarët, duke vlerësuar se kjo i ngjanë fushatës mashtruese zgjedhore të partive politike, që posa e marrin mandatin, i harrojnë premtimet.

Analistët dhe ekspertët e fushës konsiderojnë se pa pastrimin e plotë të drejtësisë nga lidhjet kriminale, përmes procesit të Vetting-ut, nuk ka shpresë për kthimin e besimit në drejtësi, pasi po shihet ashiqare se si po vazhdon që ky sistem të udhëhiqet nga nëntoka kriminale, bashkë me pushtetarët e inkriminuar, e cili ka kapë bashkë me klikën e saj çdo institucion të drejtësisë në Kosovë, si edhe çdo institucion tjetër pa dallim.

Image
Muhamet Kelmendi

“Sistemi j drejtësisë, dhe kryesisht prokuroria dhe gjykatat, janë shumë të dështuara. Këtu dhe në këtë drejtim prinë prokuroria e cila ka shumë përgjegjësi për lulëzimin e krimit dhe të korrupsionit. Suksesi i prokuroreve të Prokurorisë së Kosovës nuk varet nga numri i padive të paraqitura, por nga suksesi qe tregon prokuroria nëpër gjykatat e vendit. Deri tani pothuajse shumica e padive të prokurorëve po dështojnë tërësisht nëpër gjykata”, tha profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, ka dyshime të bazuara se aktakuzat ndërtohen qëllimisht me dobësi të theksuara nga prokurorët, për shkak të pazareve që bëjnë me palët e inkriminuara të nivelit të lartë, prandaj ato refuzohet nga gjykatat.

“Ky dështim vjen nga mos hetimet adekuate, nga provat jo konkrete dhe dëshmitë e ndryshme, të cilat nuk po e vërtetojnë padinë e bërë para gjykatës. Prandaj, paraqitja e numrit të tillë të padive, për seriozitetin dhe efektivitetin e tyre, do të duhet të matet me aktgjykime që do të nxirren. Fakti i refuzimit të padive tregon se si prokuroria, ashtu edhe gjykatat janë nën ndikimin e dukurive negative, jo ligjore dhe të cilat pa një spastrim të gjerë nuk mundë të shërohen kurrë nga infektimi me dukuri negative. Prokurorët dhe gjykatësit kosovar hyjnë në strukturën më të pasur shoqërore në vend dhe që jetojnë një jetë përrallore për kushtet e Kosovës, e pasuria e tyre nuk hetohet as nuk i dihet prejardhja e saj. Nuk mundë të gjendet asnjëri prej tyre që nuk ka bërë shtëpi e banesa, makina të shtrenjta dhe që nuk jetojnë më mirë se profesorët, më mirë se doktorët, se ministrat dhe ekonomistët e kush jo tjetër. Është thjeshtë kategori e cila pa VETTING kurrë nuk do të rregullohet as si individ e as si sistem”, shtoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E derisa mungojnë rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit, Kelmendi denoncon këto institucione se janë duke shpenzuar kot buxhetin e shtetit.

“Prokuroritë dhe gjykatat po bëjnë shpenzime të mëdha kurse efektiviteti dhe rezultatet janë tepër të dobëta, për të mos thënë se nuk bëjnë punë fare. Një gjykim zgjatë me vite sepse për ta dështuar atë merren edhe dëshmi e prova të panevojshme. Ato po ju kushtojnë shumë taksapagueseve të vendit. Pra, në çdo anë janë të dyshimtë dhe prandaj duhet të hetohen. E hetimi efektiv dhe i suksesshëm pa ligjin VETTING nuk mundë të bëhet sepse nuk arrihet pastrimi i tërësishëm. Së pari duhet të pastrohet KPK dhe KGJK e pastaj në mënyrë zingjirore të gjitha prokurorit, duke filluar nga kryeprokurori i shtetit, që bartë tërë përgjegjësinë, duke kaluar nëpër gjykata, nëpër organet hetuese, në polici e në AKI, sepse Kosovës i duhet një VETTING në të gjitha këto organe që janë pjesë përbërëse e sistemit të sundimit të ligjit”, përfundoi Kelmendi për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)