Përleshja e nxënësve në Mitrovicë: Gjendet një gëzhojë plumbi, policia në kërkim të armës

  • 04 November 2019 - 14:38
Përleshja e nxënësve në Mitrovicë: Gjendet një gëzhojë plumbi, policia në kërkim të armës

Katër gjimnazistë janë përleshur mëngjesin e sotëm në Mitrovicë. Arsye e përleshjes po del të jetë një zënkë e çastit e cila ka çuar deri në sherrin fizik mes të miturve.

Të hënën e kanë nisur me sherr në mes vete katër nxënës të gjimnazit të Mitrovicës. Para se të shkonin në shkollë, si pasojë e një zënke të çastit ata i kanë çëruar hesapet me grushte.

Nga kjo përleshje, njëri nga katër të përfshirët ka marrë lëndime trupore, por njëjtë si bashkëmoshatarët e tij, është intervistuar nga ana e policisë.

Madje, në rrugën ku janë përleshur është gjetur edhe një gëzhojë plumbi. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka treguar për  media se policia është në kërkim të armës e cila dyshohet të jetë përdorur.

Zahiti ka bërë të ditur se lëndimet që i ka pësuar njëri nga të miturit, nuk kanë ardhur nga përdorimi i armës.

“Policia është në kërkim të armës së zjarrit e cila dyshohet se është përdorur, për shkak se është gjetur një gëzhojë e plumbit në vendngjarje. I mituri që është lënduar, nuk i ka lëndimet nga arma”, ka thënë Zahiti.

Ai ka bërë të ditur se përleshja ka ndodhur në rrugën “UÇK” në Mitrovicë.

Po ashtu, Zahiti ka theksuar se të miturit janë intervistuar, ndërkaq do të intervistohen edhe persona të tjerë, qoftë të dyshuar apo dëshmitarë.

“Duket se ka qenë zënkë e çastit, pasi nuk është raportuar për ndonjë problem që i paraprinë përleshjes”, ka theksuar Zahiti.

Media mëson se të miturit të cilët janë përleshur janë nxënës të gjimnazit, e pas përleshjes kanë hyrë në shkollën që gjendet afër rrugës ku ka ndodhur përleshja.

(Kosova Sot Online)