Vërejtja serioze: Ja prapaskena e frikshme e projektit Vetëvendosje-LDK

  • 04 November 2019 - 18:15
Vërejtja serioze: Ja prapaskena e frikshme e projektit Vetëvendosje-LDK

“Mendoj se duhet pasur kujdes në paralelizma, të cilat jo rrallë herë kanë prodhuar më shumë defekte dhe pengesa se sa që kanë dhënë rezultate, por edhe si diçka që tingëllon si ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Përkushtimi i partnerëve të ardhshëm të koalicionit qeveritar LVV dhe LDK, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që u shprehë në takimin e fundit të grupeve punuese të ekspertëve të fushës së drejtësisë, sipas analistit politik, Nexhat Haziri është një qasje shpresëdhënëse, pasi ky fenomen i përhapur dhe i strukturuar në çdo institucion shtetëror, është pengesa më e madhe për vendin, qoftë në zhvillimin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar duke dëmtuar rëndë imazhin e shtetit tonë.

Image
Nexhat Haziri

Mirëpo Haziri kërkon që në këtë fushe të punohet vetëm me profesionalizëm, dhe jo me ambicie të arritjes së qëllimeve politike, pasi kjo e fundit e varros çdo përpjekje për instalimin e sistemit të pavarur dhe profesional të drejtësisë që nuk jep rezultate kurrfarë.

“Vetëm më rezultate konkrete në fushën e sundimit të ligjit, e cila kërkon institucione të pavarura gjyqësisë, profesionale dhe të pandikuara nga politike,do të mundë të behët ç’kapja e shtetit nga nëntoka kriminale që është para politikë e partive të caktuara që ishin më parë në pushtet”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”. 

Haziri ka vërejtje tek propozimi që ka dal në opinion rreth krijimit të një Zyre të veçantë shtetërore për hetime, që sipas tij, mundë të shndërrohet në institucion paralel për realizimin e interesave të ngushta politike dhe të individëve të caktuar, andaj në këtë rrafsh kërkohet të sqarohet më mirë qëllimi dhe misioni i këtij institucioni.

“Kur ndalemi te projekti i lansuar nga bisedimet e partnerëve të koalicionit qeveritar të ardhshëm,siç është ai i Zyrës shtetërore për hetime, siç u cekën edhe nga eksponentë të këtyre partive, do t’i ketë disa komponentë specifike të qasjes në luftën kundër krimit, e sidomos hetimin e krimit të vjetërsuar sidomos atyre politike, luftën kundër korrupsionit si dhe sundimi i ligjit në aspektin e anti-korrupsionit dhe verifikimit të pasurisë, mendoj se duhet pasur kujdes në paralelizma, të cilat jo rrallë herë kanë prodhuar më shumë defekte dhe pengesa se sa që kanë dhënë rezultate, por edhe si diçka që tingëllon si ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Hazirit, nëse paraprakisht nuk hartohet dhe fillon të zbatohet ligji Vetting, atëherë kjo Zyrë shtetërore e hetimit nuk e ka asnjë kuptim të vetëm, dhe është krejtësisht e panevojshme dhe vetëm dyfishim kompetencash për çështje të interesit politik.

“Pra ky projekt mendoj se duhet akoma të sqarohet dhe specifikohet dhe nën ingerencat e kujt do të jetë. Të gjitha kompetencat të cilat deri më tani janë specifikuar që do t’i ketë kjo zyre, janë kompetenca që duhet ti ushtrojnë dhe ti zbatojnë edhe institucionet aktuale të drejtësisë, pas një Vetingu i cili do të mund të prodhonte njerëz me kredibilitet në fushën e drejtësisë, dhe në anën tjetër do të mundë ta pastronte nga të korruptuarit dhe që janë pjesë e krimit të organizuar si gjykatës e prokuror të cilët janë emëruar dhe vendosur nga mafia politike por edhe ajo e biznesit për interesat e tyre kriminale”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)