Irani aktivizon mbi 1000 centrifuga me uranium

  • 05 November 2019 - 11:11
Irani aktivizon mbi 1000 centrifuga me uranium

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, njoftoi se vendi i tij do ta fillojë mbushjen e 1044 centrifugave me gaz të uraniumit. Ky është hapi më i ri i republikës islamike në vargun e shkeljeve të marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar.

Ky zhvillim po vlerësohet i rëndësishëm, sepse këto centrifuga më parë kanë qenë të zbrazëta, ashtu siç ishte përcaktuar me rregullat e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Vendimi i Iranit po shihet edhe si rritje e presionit ndaj shteteve evropiane që janë pjesë e marrëveshjes.

Kreu i shtetit nuk tregoi nëse këto centrifuga do të përdoren për prodhimin e uraniumit të pasuruar, por njoftoi se ato do të aktivizohen të mërkurën. 

Deklarata e tij në televizionin shtetëror erdhi vetëm një ditë pasi shefi i programit bërthamor tha se Irani e ka dyfishuar numrin e centrifugave të avancuara, IR-6.

Bashkimi Evropian kërkoi nga Irani që t’i respektojë pikat e marrëveshjes bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj njerëzve të rrethit të ngushtë të liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Sipas zyrtarëve iranianë, centrifugat e reja mund të prodhojnë uranium të pasuruar dhjetë herë më shpejt se centrifugat e përdorura më parë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)