Spektakël për Kosovën në Washington, gazeta sllovene zbulon detajet

  • 05 November 2019 - 12:31
Spektakël për Kosovën në Washington, gazeta sllovene zbulon detajet

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar dy Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor e për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Matthew Palmer i emëruar nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe Richard Grenell i emëruar nga Donald Trump, kanë vizutuar ndaras Kosovën e Serbinë, ku janë takuar me krerët politikë të dyja vendeve për të diskutuar rreth asaj se si do t’i qitet pika problemit shumëvjeçar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kryefjala e vizitës së Grenell në Kosovë ka qenë ngutja drejt arritjes së një marrëveshje me Serbinë, dhe për një gjë të tillë është kërkuar heqja e taksës, kërkesë e kamotshme kjo e SHBA’së.

Megjithatë Richard Grenell duket se ka qenë jashtëzakonisht kërkues gjatë takimeve qe ka pasur ne Serbi. Të paktën kështu kanë thënë njerëz të stafit të Vuçiqit, të cilët kanë treguar se presidentit të Serbisë i është dashur disa minuta kohë që të marrë veten pas takimit që ka pasur me njeriun e Donald Trump për dialogun. 

Siç ishte raportuar në mediat serbe, Grenell kishte qenë i qartë dhe kishte kërkuar që Serbia të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, ndërkohë vetë Vuçiq pas atij takimi e ka pohuar një gjë të tillë, ndërsa ka treguar se askush nuk dëshiron dhe nuk pranon ndarjen e Kosovës.

Hiq më i lehtë në deklarata nuk ka qenë as, Matthew Palmer. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Palmer ka thënë se Serbia duhet të harrojë që integrohet në Bashkim Evropian pa arritur një marrëveshje dhe pa e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe që Kosova nuk mund të përjashtohet nga një zgjidhje afatgjate për vendosjen e paqes në Ballkan.

Lidhur me këto zhvillime rreth dialogut dhe vizitave të emisarëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor, gazeta sllovene “Delo”, ka publikuar një opinion të Vili Einspieler, i cili thotë se dy të dërguarit e posaçëm të SHBA’së, po garojnë me njëri tjetrin se cili do të jetë më i ashpër në kërkesat e tij për Serbinë.

Në shkrimin e titulluar “Spektakli Ballkanik në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet se tashmë në rajon po frynë një erë e re e politikës së SHBA’së, që ka rifreskuar politikën e dështuar të Brukselit, e cila në vend të normalizimit kishte rritur mosbesimin mes palëve të përfshira në negociata. 

Ndër të tjera në këtë opinion thuhet se ky presion amerikan mbi Serbinë po rritet për shkak të një gare  mes Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, përkatësisht Matthew Palmer e Richard Grenell, se cili do të jetë më i mprehtë në kërkesat karshi Beogradit.

“I pari (Grenell) ka kërkuar që Serbia ta njohë Kosovën, ndërsa i dyti (Palmer) ka thënë që Serbia duhet të harrojë që mund të integrohet në Bashkim Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës, kanë kërkuar që të pezullojnë edhe fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë Uashtingtoni nga Kosova pret pezullimin e taksës”, thuhet në këtë opinion të publikuar në gazetën sllovene “DELO”.

(Kosova Sot Online)