Amerikani shpëton qenushen e mbyllur në kafaz e të hedhur në liqen

  • 05 November 2019 - 14:14
Amerikani shpëton qenushen e mbyllur në kafaz e të hedhur në liqen

Një qenushe me ngjyrë bardhë e zi po vazhdon të forcohet pasi u shpëtua pak para se të mbytej në ujin e ftohtë të liqenit në Illinois, ku dikush e kishte mbyllur në kafaz dhe e kishte hedhur në ujë.

Qenushja që tashmë e ka marrë emrin Dory ndodhej brenda një kafazi kur amerikani Bryant Fritz e pa atë mbi ujin e liqenit dhe kërceu për ta shpëtuar atë.

Kolegji për mjekësi veterinare në Illinois njoftoi se qenushja do të qëndrojë ende në qendrën për kontrollin e kafshëve derisa policia t’i përfundojë hetimet për personin që e ka hedhur atë në ujë në mënyrë mizore.

Kur autoritetet ta lejojnë marrjen e saj, njeriu që e shpëtoi qenushen thotë se dëshiron ta marrë dhe ta mbajë atë në shtëpi. “Jam shumë i lumtur që ajo ia doli”, tha ky person për televizionin CNN.

Ai tregoi se asnjë person tjetër nuk ishte afër kur e pa qenushen në ujë, prandaj i zhveshi rrobat dhe kërceu në ujë për ta shpëtuar.

“Mendova të thërras dikë, por nuk ma mori mendja se ajo mund të priste pesë apo dhjetë minuta”, tha burri që me profesion është mësimdhënës në shkollë të mesme.

Kur ai e dërgoi kafshën e gjorë në qendrën universitare të veterinarisë, qenushja kishte temperaturë aq të ulët trupore, saqë termometri nuk e maste atë. Veterinerët arritën që t’ia kthejnë temperaturën normale të trupit vetëm pas tri orëve.

Përpos që ishte e detyruar ta duronte ujin e ftohtë të liqenit, qenushja i kishte disa plagë në trup.

Fritz nuk e ka parë më qenushen prej ditës kur e shpëtoi, në fundjavën e kaluar, por tha se është i pari në listën e personave të interesuar për ta marrë atë, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)