Presidenti i Kilit refuzon dorëheqjen, pavarësisht protestave masive

  • 05 November 2019 - 15:30
Presidenti i Kilit refuzon dorëheqjen, pavarësisht protestave masive

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, that ë martën se nuk do të japë dorëheqje pas protestave të përgjakshme kundër pabarazisë dhe kushteve të dobëta sociale, të cilat kanë hyrë në javën e tretë.

I pyetur nga BBC-ja gjatë një interviste se a do të japë dorëheqje nga pozita e presidentit, Pinera tha: “Jo. Këto problem janë grumbulluar gjatë 30 vjetëve të kaluar. Unë jam përgjegjës për një pjesë të tyre dhe e marrë përgjegjësinë, por unë nuk jam i vetmi.”

Dhuna në protestat e njërit prej vendeve më të pasura të Amerikës Jugore e detyroi qeverinë e këtij vendi që t’i anulojë samitet ndërkombëtare për ekonominë dhe klimën dhe t’i fillojë bisedimet me opozitën majtiste.

Pinera gjithashtu e mbrojti vendimin për ta shpallur gjendjen emergjente, por premtoi se do t’i shqyrtojë dyshimet për përdorimin e dhunës dhe abuzimeve nga policia.

“Ka shumë ankesa për përdorim të tepërt të dhunës dhe nëse kjo gjë ka ndodhur, unë ju garantoj se do të ketë hetime për këtë çështje”, tha ai.

Protestuesit u përleshën me policinë dhe i thyen dyqanet të hënën në kryeqytetin e Kilit, Santiago. Ata u përpoqën t’i afrohen pallatit presidencial, por u penguan nga policia, shkruan “France24".

(Kosova Sot Online)