Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin për zhvatje bërthamore

  • 06 November 2019 - 10:00
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin për zhvatje bërthamore

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zgjerimi i kapaciteteve të Iranit për pasurim të uraniumit është një hap i madh, por në drejtim të gabuar pasi Tehrani njoftoi se do t’i aktivizojë mbi një mijë centrifuga me gaz uraniumi, në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në ShBA e akuzoi të martën Iranin për “zhvatje bërthamore” si reagim ndaj njoftimit të presidentit iranian, Hassan Rouhani, për shtimin e kapaciteteve për prodhimin e uraniumit të pasuruar.

“Irani nuk ka arsye tjetër të besueshme për ta zgjeruar programin e pasurimit të uraniumit, përpos përpjekjes së qartë për zhvatje bërthamore që vetëm sa do ta thellojë izolimin politik dhe ekonomik të këtij vendi”, tha ky zëdhënës.

Ndryshe, presidenti iranian njoftoi për shkeljen tjetër të zotimeve të marrëveshjes bërthamore përmes dyfishimit të centrifugave të avancuara, IR-6, të cilat janë më efikase dhe më të shpejta gjatë procesit të prodhimit të uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në maj të 2018-s e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione të ashpra kundër republikës islamike.

Sidoqoftë, shtetet evropiane, të cilat janë pjesë e paktit bërthamor, po përpiqen ta bindin Iranin që të mos largohet nga marrëveshja dhe të mos e zgjerojë programin bërthamor, duke i premtuar lehtësira ekonomike dhe mbrojtje nga sanksionet amerikane, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)