Franca dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje 15-miliardëshe

  • 06 November 2019 - 10:35
Franca dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje 15-miliardëshe

Një zyrtar kinez njoftoi gjatë një konference për medie se Kina dhe Franca kanë nënshkruar kontrata bashkëpunimi në vlerë të 15 miliardë dollarëve gjatë vizitës së presidentit francez në Kinë.

Marrëveshjet e arritura kanë të bëjnë me fushat e aeronautikës, energjisë dhe bujqësisë, përfshirë miratimin që 20 kompani franceze të eksportojnë shpezë, mish gjedhi dhe mish derri në Kinë.

Këto dy vende u morën vesh edhe për zgjerimin e një protokolli për eksportimin e shpezëve, ku tash e tutje do të përfshihen edhe shotat, ndërsa do të punohet edhe për marrëveshjen e eksportimit të materialit gjenetik të derrave nga Franca në Kinë. 

Franca dhe Kina nënshkruan marrëveshje edhe për koston dhe vendin e ndërtimit të një qendre për ripërpunimin e lëndës bërthamore.

Për më tepër, mediet shtetërore kineze njoftuan se Kina do t’i mbështesë planet e kompanive të veta për të blerë aeroplanë të tipit “Airbus”, të cilët prodhohen në Francë.

U tha gjithashtu se të dyja shtetet synojnë ta shtojnë bashkëpunimin në sektorin e helikopterëve, motorëve të aeroplanëve dhe trajnimit të pilotëve, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)