Palmer: Prishtina të heqë taksën, e Beogradi të ndalë fushatën për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës

  • 06 November 2019 - 13:33
Palmer: Prishtina të heqë taksën, e Beogradi të ndalë fushatën për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe t’i hapin kështu udhën qëllimit të përbashkët, anëtarësimit në BE.

Beogradi duhet të ndërpresë përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kurse Prishtina të heqë taksën.

Për SHBA-në pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e padiskutueshme, tha përfaqësuesi sepecial i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer në një intervistë ekskluzive për televizionin publik të Vojvodinës RTV.

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka as një pikëpyetje dhe as një dilemë për sa i përket pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duhet të ndodhë përmes dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje, ka deklaruar për RTV publik të Vojvodinës, përfaqësuesi sepecial i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer, transmeton RTKlive.

SHBA- ja përmes mbështetjes së dialogut për arritjen e marrëveshjes dypalëshe, nuk ka qëllim të mbajë anë, përkundrazi, synon përkrahjen e të dyja palëve, tha ai.

Marrëveshja, e cila përparon dhe forcon stabilitetin dhe paqen, duhet të jetë shumë dimensionale dhe përfshin çështje që lidhen me politikën, sigurinë dhe çështje të tjera, siç janë problemi i të drejtave të njeriut, liria e qytetarëve si dhe mbrojtja e thesarit dhe trashëgimisë kulturore, ka precizuar Palmer në intervistën për RTV-në e Vojvodinës.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Prishtinë ka dhënë mesazh shumë të qartë se duhet hequr taksën ndaj mallrave serbe, pasi kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe vendosjen e dialogut.

Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të dyja palët përafrojnë qëndrimet mes tyre, ka theksuar Palmer, teksa ka shtuar se SHBA-ja nuk do të imponojë zgjidhjen për asnjërën pale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të krijohet një atmosferë pozitive, e cila nuk ekziston tani, por që do të krijohet nëse Beogradi ndërpret përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kurse Prishtina të heqë taksën, ka potencuar Palmer, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se për SHBA-në pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e padiskutueshme.

(Kosova Sot Online)