Mbi 200 persona të intervistuar nga Gjykata Speciale, a do të ndodhin arrestimet e para këtë muaj

  • 06 November 2019 - 14:50
Mbi 200 persona të intervistuar nga Gjykata Speciale, a do të ndodhin arrestimet e para këtë muaj

Gjykata Speciale u formua në gusht të vitit 2015 pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro themelimit të saj në tentimin e dytë me 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim. Gati katër vjet pas themelimit të kësaj gjykate në janar të 2019-tës filluan edhe intervistimet e para të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga prokurori special në Hagë. Ftesat e dërguara nga Gjykata Speciale arrijnë mbi 200. Në mesin e të ftuarve janë ish-eprorë dhe pjesëtarë të UÇK-së, ish-deputetë e ministra dhe qytetarë të thjeshtë. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës është thënë se arrestimet e para mund të ndodhin në fillim të muajit nëntor. Nasim Haradinaj nënkryetari i OVL-UÇK-së tha për  media se presin të shohin nëse do të fillojnë arrestimet e para dhe se nuk kanë informacion nëse ndonjë nga ish-komandantët e UÇK-së do të arrestohen të parët.

Formimit të Gjykatës Speciale i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

I pari që kishte marrë ftesën për t’u intervistuar ishte komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. Ai kishte marrë ftesë në dhjetor të vitit 2018 kurse ishte intervistuar në janar të vitit 2019.

Të gjithë komandantët e zonave operative janë intervistuar nga Gjykata Speciale por që deri më tani nuk ka pasur ngritje të aktakuzave nga prokuroria speciale e as arrestime.

Nasim Haradinaj nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës i tha media se informatat për mundësinë e arrestimeve të para të ish pjesëtarëve të UÇK-së i kanë marrë nga avokatët e akredituar ndërkombëtarë pranë Gjykatës Speciale.

“Ne i kemi marrë informatat nga avokatët ndërkombëtarë që janë gjermanë, italianë dhe anglezë të cilët na kanë thënë se sipas të dhënave që ata kanë arrestimet mund të ndodhin në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit dhe nuk kemi konfirmim tjetër”, tha Haradinaj.

Ai tutje shtoi se nuk e dijnë nëse arrestimet e para do të ndodhin ndaj ish komandantëve të UÇK-së.

“Mbetet me u pa nëse do të fillojnë arrestimet e para këtë muaj. Ne nuk e dijmë nëse do të arrestohen ish eprorët e lartë apo ushtarët e thjeshtë të UÇK-së”, tha ai.

Haradinaj po ashtu u shpreh se janë kundër Gjykatës Speciale në mënyrë se si vepron dhe i kanë ofruar bashkëpunim pikërisht që të mos krijohet precedan që të mos bëjnë arrestime.

Nga Janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.

Të ftuar tjerë të intervistuar nga Specialja janë edhe eprorë të lartë dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Shumë nga ta edhe pse jo zyrtarisht janë ftuar edhe në cilësinë e të dyshuarit.

Në dhjetor të 2018-tës u ftua që të paraqitej para prokurorëve të Speciales edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku i cili në janar të vitit 2019 u paraqit për tu intervistuar.

Në Gjykatën Speciale kishte dëshmuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.

E nga kjo Gjykatë në shkurt të këtij viti ishte intervistuar edhe ish-komandanti Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi.

Pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që u ftuan nga Specialja në fillim të vitit 2019 ishin edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit Nazif Mehmeti, ish-drejtori i Zonës Operative të Pashtrikut Sabahajdin Cena si dhe ish-komandanti i UÇK-së, brigada 124 e Rahovecit, Ismet Tara i njohur si “Komandant Hoxha”.

Ftesë morën edhe ish pjesëtarët e UÇK-së nëpër brigada e batalione si, Agim Kuçi, Bashkim Ndrecaj, Isuf Gashi i njohur me nofkën “Baca”, Komandanti Ramiz Qeriqi – Luani, Safet Syla, Naser Krasniqi, Ahmet Rrahmanaj, Imer Imeri e Flamur Hoti si dhe Rilind Berisha, Mendim Daka, Avdi Ibrahimi, Jetullah Krasniqi, Isni Kilaj, Fazli Behrami, Gani Krasniqi, Milaim Latifi, Shaban Syla, Naim Miftarin, Sali Mustafa – Cali, Fatmir Sopi e Sejdi Veselit, Besim Bajrami, Mehmet Sulaj, Avdi Ibrahimin, si dhe tash kapiteni i Shtabit të Përgjithshëm në FSK, Petrit Bojaxhiu.

Gjithashtu edhe Isuf Gashi, Osman Karpuzi, Ahmet Rrahmanaj, Naser Krasniqi, Mahir Sinani, Enver Shala, si dhe Elmi Bytyqi.

Një ftesë të tillë e ka marrë edhe një ish-ushtare e UÇK-së, Raimonda Rreci, e ish komandanti i FSK-së Kadri Kastrati.

E ftesën e Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit e kishte refuzuar Remzi Shala i njohur si “Molla e Kuqe”.

Ftesën nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale e mori edhe ish-Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili ishte në detyrën e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Pas marrjes së ftesës Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit për t’u paraqitur në për intervistë më 19 korrik të këtij viti.

Në radhën e të ftuarave ishin edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Bislim Zyrapi, e  ish zëdhënësi i atij shtabi Jakup Krasniqi.

Ftesë nga Specialja kanë marrë edhe ish-deputetë dhe ministra dhe kryetarë komunash.

Në këtë mes kanë hyrë edhe ish deputetët e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Fadil Beka, Nuredin Ibishi, Safete Hadergjonaj, Blerim Kuçi, Nuredin Ibishi.

Nga Specialja u ftua edhe ish komandanti i UÇK-së dhe ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota, ai u intervistua për ditë nga prokuroria në shtator të këtij viti.

E së fundi ftesë për intervisitim ka marrë edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Ftesës së Gjykatës nuk i shpëtoi as Azem Syla ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i njohur me nofkën “Daja”. Syla u ftua nga Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë në tetor.

Edhe Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka marrë ftesë nga prokurori i dhomave të specializuara në cilësinë e dëshmitarit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

(Kosova Sot Online)