Si do të jetë moti në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme?

  • 06 November 2019 - 18:58
Si do të jetë moti në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme?

Ditëve në vijim, në Kosovë do të mbretërojë mot më i freskët dhe me shi, e në vende-vende me reshje më intensive

Një sistem frontal do të kalojë mbi vendin tonë gjatë natës dhe ditën e enjte, që do të kushtëzojë mot më të freskët, të vranët dhe me reshje më të qëndrueshme shiu, ndërkaq vende-vende këto reshje mund të jenë me intensitet më të lartë, ndaj edhe priten mundësi për përmbytje, bën të ditur Prishtina Weather.

Sipas shërbimit të meteorologjisë, “ditën e premte reshjet pritet të pushojnë, e ditën e shtunë do të mbajë mot më i butë me intervale me diell. Ditën e diel, sërish një sistem frontal pritet të kaloj mbi vend, që sjellë sërish të reshura shiu me karakter lokal”.

“Ditën e enjte temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, mirëpo ditëve të tjera sërish pritet të rriten mbi vlera mesatare. Vlerat e cilësisë së ajrit do të luhaten rreth vlerave të mira dhe mesatare, mirëpo kohëpaskohe mund të rriten edhe në të pashëndetshme”, njofton PW.

Parashikimi për datat 7-11 nëntor:

7.11 – Më freskët, kryesisht vranët dhe me reshje më të qëndrueshme shiu. Vende-vende reshjet mund të jenë më intenzive.

8.11 – Reshjet e shiut vazhdojnë edhe orëve të hershme të mëngjesit. Ditën pjesërisht vranët, e në mbrëmje priten kthjellime.

9.11-10.11 – Ditën e shtunë mot i butë, me vransira dhe intervale me diell, me mundësi për riga lokale shiu. DItën e diel, kryesisht me vransira, kohëpaskohe me reshje lokale shiu.

11.11 – Pjesërisht vranët, me intervale më të gjata me diell.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 7C deri në 12C, e maksimalet nga 15C deri në 17C.

Do të fryejë erë e lehtë dhe mesatare nga krahu jugor, e të enjten në mbrëmje edhe nga veriperëndimi..

Shtypja atmosferike do të luhatet kryesisht nën vlera normale.


(Kosova Sot Online)