A po e shpërbën Ballkani BE-në?

  • 07 November 2019 - 08:01
A po e shpërbën Ballkani BE-në?

Pyotr Iskenderov, studiues i lartë nga Instituti i Studimeve Sllave, ka trajtuar çështjen e raportit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në Institutin Internacion IFMES, duke ngritur në pikëpyetje perspektivën evropiane.

“Bashkimi Evropian po kalon një krizë serioze të brendshme mbi perspektivën e zgjerimit të saj të mëtejshëm, me vijën kryesore të konfrontimit që ndodhet midis Parisit dhe Berlinit”, thuhet në artikullin e publikuar në IFMES.

Duke përmendur edhe bllokimin e vendimit të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë E veriut nga ana e Francës, në bashkëpunim me Danimarkën dhe Holandën, Iskenderov tha se sytë e vendeve Ballkanike mund të drejtohen nga Rusia.

Megjithëse është lënë anash çështja e statusit të Kosovës për sa i përket anëtarësimit në Unionin Evropian, studiuesi nga Instituti i Studimeve Sllave ka përfshirë thirrjen e kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e agjendës për politikë të jashtme.

“Le të jemi të sinqertë, ne nuk jemi përparësi për BE-në sepse ata i japin përparësi reformave të tyre”, kishte thënë Rama.

Po ashtu, në artikullin e publikuar është përfshirë deklarimi i presidentit polak Andrzej Duda për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, i cili e përshkroi atë si “një provë se sa e hapur BE-ja është”.

Në konkluzat e tij, Iskenderov ka thënë se ngjarjet e fundit në Bruksel janë një tjetër indikator i minimit të rolit të BE-së në Ballkan.

(Kosova Sot Online)