Ministrat që dështuan të bëhen deputetë

  • 08 November 2019 - 07:57
Ministrat që dështuan të bëhen deputetë

Një numër i madh i ministrave dhe zëvendëskryeministrave të Qeverisë Haradinaj nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e shtatë. Vetëm një nga katër zëvendëskryeministrat shqiptarë ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Enver Hoxhaj i PDK-së ka marrë 11157 vota, që i mjaftuan të dilte i dhjeti në listën e deputetëve të kësaj partie.

Edhe pse kishte më shumë vota se Hoxhaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ka arritur të bëhet deputet për shkak se koalicioni Nisma-AKR-PD s’ka kaluar pragun për t’u bërë subjekt parlamentar. Limaj ka marrë 26014 vota si kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Numri dy i këtij koalicioni, Behgjet Pacolli, që ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, po ashtu do të mbetet jashtë Kuvendit. Ai ka marrë 10525 vota. Zëvendëskryeministri i katërt dhe ministri në largim i Diasporës, Dardan Gashi, nuk ishte pjesë e asnjë liste të kandidatëve për deputet.

Sa i përket ministrave që vinin nga radhët e AAK-së, Rrustem Berisha, që udhëheq me Ministrinë e Mbrojtjes, ka marrë 4972 vota, të pamjaftueshme për t’u renditur në 14 më të votuarit në koalicionin AAK-PSD për t’u bërë deputet. Në anën tjetër, ministri në largim i Infrastrukturës Pal Lekaj, nga AAK-ja ka marrë 10351 vota për të fituar edhe një herë mandatin e deputetit.

Për dallim nga ish-partnerët në koalicionin PAN, ministrat e PDK-së dolën më të suksesshëm. Nga PDK-ja, ministri më i votuar ishte Uran Ismajli i Shëndetësisë me 28250 vota. Bedri Hamza, ministri në largim i Financave ka marrë 15471 vota. Në PDK votat e mjaftueshme për deputetë i kanë marrë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, me 13335 vota dhe Abelard Tahiri i Ministrisë së Drejtësisë me 14579 vota, përcjell koha.net. Për dallim nga këta, vota s’ka marrë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Ajo me 2993 vota s’arriti të futej në mesin e 25 kandidatëve më të votuar të PDK-së. Muzafer Shala i Inovacionit nuk ishte fare kandidat. Edhe gjashtë ministra në largim nuk arritën të merrnin votat për t’u bërë deputetë. Skënder Reçica, Endrit Shala, Ekrem Mustafa, Valdrin Lluka e Fatmir Matoshi bashkë me partitë e tyre në koalicionin Nisma-AKR-PD mbetën jashtë Kuvendit. Në Kuvend s’ka hyrë as Shyqiri Bytyqi që ishte në Nisma, por që kaloi para zgjedhjeve në PSD.Nga këta ministra, më i votuari ishte Endrit Shala që udhëhiqte Ministrinë e Tregtisë. Ai mori 6819 vota. Matoshi që udhëhiqte me Ministrinë e Mjedisit mori 4280 vota. Skënder Reçica, ministër në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka marrë 3597 vota si anëtar i Nismës. Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dështoi si pjesë e këtij koalicioni me 2851 vota. Shyqiri Bytyqi që udhëhiqte me Arsimin mori në total 2323 vota.Dështimi më i madh i takon Ekrem Mustafës, që edhe pse ishte ministër i Punëve të Brendshme, në total mori vetëm 774 vota.

(Kosova Sot Online)