Palmer: Ideja për “Schengen Ballkanik” ka mbështetjen e SHBA’së

  • 08 November 2019 - 13:52
Palmer: Ideja për “Schengen Ballkanik” ka mbështetjen e SHBA’së

Përfaqësuesi Special i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se iniciativa për krijimin e një “Schengeni Ballkanik”, ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sipas tij është një ide premtuese.

Këto deklarata Palmer i ka bërë gjatë një forumi të organizuar në Gjenevë të Zvicrës, duke thënë se në një nismë të tillë ka vend edhe për Republikën e Kosovës dhe për Bosnje e Hercegovinën.

“Është një iniciativë që premton, ka mbështetjen tonë dhe për të cilën ne jemi të përkushtuar, që të punojmë në partneritet me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për të përparuar”, ka potencuar tutje Palmer.

Sipas Palmer, iniciativa e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore për krijimin e një “mini Schengeni”, tregon se këto shtete po marrin përgjegjësitë për fatinë  tyre duke kontrolluar të ardhmen e tyre, shkruan B92.

Përveç tjerash emisari i SHBA’së ka përsëritur faktin se vendimi për të mos i hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore ka qenë tepër zhgënjyese, megjithatë sipas tij ende nuk është thënë fjala e fundit.

“Konsensusi është i nevojshëm dhe fillon një proces të rëndësishëm që dërgon një sinjal të rëndësishëm për rajonin”, ka potencuar Palmer.

(Kosova Sot Online)