Paralajmërohet dimër i ‘nxehtë’, ja kur ngritën 4 aktakuzat e para të Gjykatës Speciale

  • 09 nëntor 2019 - 07:25
Paralajmërohet dimër i ‘nxehtë’, ja kur ngritën 4 aktakuzat e para të Gjykatës Speciale

“Paralajmërimet janë të qarta, se priten ngritje të aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, dhe gjendja politike në Kosovë mundë të përkeqësohet. Ngritja e akuzave mundë të ndodhë madje tani shumë shpejt. Së pakut 4 aktakuzat e para mundë të ndodhin brenda këtij viti dhe ky trend i shtimit të aktakuzave do të vij duke u rritur me kalimin në vitin tjetër”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë, konsiderojnë se Kosova po futet në një dimër të "nxehtë" për shkak të zhvillimeve rreth aktivitetit të ngjeshur të Gjykatës Speciales, ku së fundi ftesë mori edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, njëherit ish udhëheqës i SHIK-ut dhe ish kryeparlamentar i Kosovës.

E lidhur me këtë, eksperti i së drejtës, profesor Blerim Burjani, tha për “Kosova Sot Online” se dinamika e fundit e shtimit të ftesave për intervistim të të dyshuarve, por edhe të dëshmitarëve nga ana e Gjykatës Speciale, paralajmëron seriozisht se edhe festat e këtij fundviti do të vijnë me një dush të ftohtë nën ethet e veprimit të Gjykatës Speciale, me ngritjen e aktakuzave të para për të dyshuarit e intervistuar në fazën e deritanishme.

Sipas Blerim Burjanit, së paku katër aktakuzat e para pritet të shpallen brenda këtij viti, dhe fillimi i zbardhjes së aktakuzave, sipas tij, do ta nxeh edhe situatën politike, mundë të ketë tensionim të saj.

Image
Blerim Burjani

“Paralajmërimet janë të qarta, se priten ngritje të aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, dhe gjendja politike në Kosovë mundë të përkeqësohet. Ngritja e akuzave mundë të ndodhë madje tani shumë shpejt. Së pakut 4 aktakuzat e para mundë të ndodhin brenda këtij viti dhe ky trend i shtimit të aktakuzave do të vij duke u rritur me kalimin në vitin tjetër”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, sfidë serioze për institucionet dhe politikën do të jetë ruajtja e stabilitetit dhe qetësisë qytetare, për të mos ndodhur ndonjë eskalim i situatës në protesta që do ta dëmtonin akoma më shumë interesin e shtetit të Kosovës dhe imazhin ndërkombëtar.

“Duhet të ruhet stabiliteti i shtetit sikurse edhe përmbajtja nga veprimet tjera. Me rëndësi është që të mos përkeqësohet imazhi i shtetit por të tregohet pjekuri politike dhe njerëzore. Duhet të gjendet kurajë dhe qëndrueshmëri, Kosova mund të përfshihet edhe në protesta gjë që do të ndikonte edhe në brishtësinë e qëndrueshmërisë politike dhe institucionale”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)