Miliarderi Michael Bloomberg i futet garës për president të ShBA-së

  • 09 November 2019 - 09:23
Miliarderi Michael Bloomberg i futet garës për president të ShBA-së

Ish-kryetari miliarder i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ka dhënë shenja se do të bëhet pjesë e garës brenda Partisë Demokratike për kandidat për president të Shteteve të Bashkuara. Ai i dorëzoi dokumentet e nevojshme për këtë garë para përfundimit të afatit në zgjedhjet e Alabama-s.

Kjo lëvizje është hap i nevojshëm për t’u bërë pjesë e garës për kandidat presidencial të Partisë Demokratike. Nëse e fiton garën brenda partisë, ai më pas do ta sfidojë presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Miliarderi 77-vjeçar nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht kandidaturën e tij. Megjithatë, zëdhënësi i tij, Jason Schechter, deklaroi për mediet amerikane se ky njoftim mund të jepet javën e ardhshme.

Thuhet se biznesmeni i suksesshëm është i brengosur që kandidatët e tanishëm brenda Partisë Demokratike nuk paraqesin sfidë të fortë për presidentin Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Sidoqoftë, ai do të futet në një garë të ngjeshur me 16 kandidatë të tjerë demokratë, ku favoritë tash për tash cilësohen ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.

Këtë kundërkandidat të mundshëm tashmë e ka thumbuar presidenti Trump, duke thënë se nuk ekziston ndonjë person tjetër që do ta dëshironte më shumë përballë sesa, siç tha ai, “Michael-in e vogël”.

Megjithatë, “Michael-i i vogël” ka pasuri prej 52 miliardë dollarësh, mbi 48 miliardë më shumë se presidenti Trump, i cili ka pasuri prej rreth 3 miliardë dollarësh, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)