Kurti: Në Ministrinë e Diasporës u punësuan njerëz që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre

  • 09 November 2019 - 16:39
Kurti: Në Ministrinë e Diasporës u punësuan njerëz që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili po pret të marrë postin e kryeministrit të Kosovës, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga ai, për mërgatën do të angazhohet bashkë me diasporën. Sipas tij, Kosova ka pasur Ministri të Diasporës, por nuk ka pasur diasporë në ministri.

Në kongresin e dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë, Albin Kurti ka thënë se me qeverinë e re do të krijojnë qendra kulture për të cilat shteti kujdeset që kultura e historia e brezave të mësohet nga fëmijët kudo.

“Deri tani vërtetë kemi pasur Ministri të Diasporës, por nuk mund të thuhet fort që kemi pasur diasporë në ministri. Pra në vend që në këtë ministri, ministri dhe pjesa më e madhe pjesa e stafit të ishin nga diaspora, dhe kjo të kthehej në shembull të kthimi të trurit, është për keqardhje që aty jo rrallë u vendosën njerëzit që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre dhe që mundësuan ikjen e tyre. Prandaj, angazhimi ynë institucional për diasporën do të bëhet me diasporën”, tha Kurti.

Ai tha se rolin e diasporës shqiptare e shohin si vlerë kulturore ekonomike.

“Ju jeni pasuria jonë që çdo popull do ta kishte lakmi, por sikur çdo pasuri tjetër edhe kjo e juaja është e tillë vetëm nëse ne dimë ta përdorim për të mirën e përbashkët, parat që i dërgoni e të cilat shpesh herë janë jetike për bashkëqytetarët tanë në Kosovë, shkojnë për konsum e mallra dhe shërbime të cilat përgjithësisht ne nuk i prodhojmë. Shkathtësitë dhe njohuritë që i posedoni do të ua mundësojmë që të kthehen në biznese të reja në investime strategjike e në udhëheqje ndërmarrjesh që do të hapin vende të reja të punës, por do të ju lidhin edhe juve më shumë me atdheun tonë. Me pak fjalë dashurinë e pakmpromis që e keni për atdheun, nga i cili nuk kërkoni asgjë por vetëm i dhuroni gjithçka, ka ardhur dita ta kthejmë në partneritet strategjik për të mirën e vendit tonë”, shtoi Kurti.

Para qindra përfaqësuesve të bizneseve shqiptare e gjermane, Kurti premtoi se do të mundësojnë votën e lirë, ku siç tha ai e drejta e votës për mërgimtarët do të garantohet, dhe do të votohet në ambasada e konsullata, aty ku janë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.

(Kosova Sot Online)