Forumi i Paqes në Paris, Thaçi thotë se do t’ia kërkojë vizat Macronit

  • 11 November 2019 - 12:08
Forumi i Paqes në Paris, Thaçi thotë se do t’ia kërkojë vizat Macronit

Presidenti Hashim Thaçi do të kërkojë nga homologu i tij francez, Emannuel Macron liberalizimin e vizave për kosovarët.

Në një komunikatë të dërguar nga presidenca, shkruhet se Thaçi do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në fillim të Forumit të Paqes në Paris.

Para darkës, presidenti Thaçi do të ketë një takim me presidentin Macron, me të cilin do të bisedojë për perspektivën europiane të Kosovës, me theks te veçantë te nevoja për një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. 

Thaçi nesër do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.

Forumi i Paqes i Parisit është mbajtur për herë të parë vitin e kaluar, në 100 vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore dhe synon të bëjë bashkë udhëheqës të shteteve, të organizatave kryesore ndërkombëtare dhe të institucioneve tjera, që të bashkëpunojnë për arritjen dhe forcimin e paqes në botë.

(Kosova Sot Online)