Si rrodhi e gjithë ngjarja: Zbulohet arsyeja pse ‘Llepota’ dhe ‘Italiani’ plagosën rojet e Duplexit

  • 11 November 2019 - 14:38
Si rrodhi e gjithë ngjarja: Zbulohet arsyeja pse ‘Llepota’ dhe ‘Italiani’ plagosën rojet e Duplexit

Astrit Mehmeti, 47-vjeç, i njohur me nofkën ‘Llepota’ dhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën ‘Italiani’ dyshohet se të premten e javës së kaluar të kenë plagosur me armë zjarri katër roje të klubit të natës ‘Duplex’.

Astrit Mehmeti, i cili është emër i njohur për Policinë e Kosovës, ka hapur zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit të natës që ndodhet në qendër të Prishtinës, teksa ka qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti, këta të fundit të dy të armatosur.

Problemi ka nisur qysh herët nga Mehmeti i njohur si ‘Llepota’ në kryeqytet, ai kishte bërë disa herë probleme në klubin e natës ‘Duplex’, raste këto që janë të njohura për Policinë.

Për këto arsye atij ju është ndalur hyrja në klubin e natës dhe sigurimi të premten ka penguar duke deklaruar se nuk mund të hy brenda.

Por, pas kësaj ka filluar sherri i madh, Mehmeti siç shihet në videon e siguruar nga media nxjerr armën e tij dhe shtien në drejtim të sigurimit që ishin aty, madje ai pas kësaj edhe përleshet fizikisht me ta.

Por, kjo zgjatë vetëm pak minuta, pasi sigurimi i klubit të natës që ishin brenda, dalin në ndihmë të shokëve dhe i kundërpërgjigjen edhe ata me armë zjarri, kështu duke bërë Mehmetin dhe shokët e tij të ikin nga vendi i ngjarjes.

Nga ky sulm i armatosur, Mentor Bogujevci, Arben Jashari, Kujtim Gashi dhe Arsim Shala janë katër personat të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë në Qendrën Klinike Universitare duke marrë tretman mjekësor.

Kurse nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se janë në kërkim të Astrit Mehmetit, Andi Pajazitit, Kushtrim Krasniqit dhe personave të tjerë të involvuar në këtë rast.

(Kosova Sot Online)