Përplasja tregtare ShBA-Kinë po i dëmton tregjet botërore

  • 11 November 2019 - 15:06
Përplasja tregtare ShBA-Kinë po i dëmton tregjet botërore

Vlera e aksioneve në bursën ndërkombëtare shënoi rënie të hënën pasi shpresat për përfundim të luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u venitën kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Uashingtoni nuk do t’i largojë taksat ndaj mallrave kineze në kohën kur po zhvillohen negociatat.

Besimi për zgjidhje të mosmarrëveshjes tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës u dobësua pasi presidenti Trump i mohoi deklaratat e një zyrtari kinez se gjoja dy palët kanë arritur marrëveshje për një fazë të anulimit të taksave si pjesë e marrëveshjes që po negociohet.

“Ata do të donin të kishin anulim të taksave, por unë nuk jam pajtuar për asgjë”, tha Trump para gazetarëve. 

Kjo deklaratë si duket ndikoi në zhvillime negative në tregun e aksioneve. Bursa gjermane shënoi rënie prej 0.4 për qind, ndërsa bursa franceze shënoi rënie për o.1 për qind.

Në Azi, rënia më e madhe u shënua në bursën e Hong Kongut, ku vlera e aksioneve ra për 2.6 për qind, kryesisht për shkak të përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe protestuesve.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara e kanë kërcënuar Kinën me rritje të taksave për shkak të raportit të pabarabartë të shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, shkruan “Associated Press”.

(Kosova Sot Online)