Ua prezantojmë djaloshin që po synon të bëhet kryetar i qytetit të tretë më të madh

  • 11 November 2019 - 16:04
Ua prezantojmë djaloshin që po synon të bëhet kryetar i qytetit të tretë më të madh

Për herë të parë në histori, një qytet rumun mund të bëhet me kryetar gjerman. Dominic Samuel Fritz, i cili ka prejardhje nga pjesa jugperëndimore e Gjermanisë, thotë se e do qytetin e Timisoara-s dhe dëshiron ta zhvillojë atë.

Shumica e gjërave të tij ndodhen në veturë dhe Dominiku është pothuajse gati të largohet nga banesa e madhe në Berlin dhe pamja mahnitëse që ia ofron ballkoni i saj.

Si dikush që ka vendosur të vendoset në kryeqytetin gjerman, e shoh pse një largim i tillë mund ta mërzisë atë. Por ai po e bën këtë për shkak të një plani ambicioz. Fritz dëshiron të bëhet kryetar i qytetit rumun të Timisoara-s, të cilin thotë se e do shumë. Që nga viti 2015, të gjithë qytetarët e BE-së kanë të drejtë të kandidojnë për kryetar qytetesh në Rumani.

Përderisa niset drejt Rumanisë, sigurisht që nuk ka garancion se do t’i fitojë zgjedhjet, për të cilat e la punën si shef i stafit të ish-presidentit Horst Köhler. Edhe sikur të isha i lindur e i rritur në këtë qytet, nuk e di nëse do ta merrja një hap të tillë.

Para vetes e ka një rrugë prej 1200 kilometrash nga Berlini në Timisoara, qyteti i tretë më i madh në Rumani me rreth 330 mijë banorë, i shtrirë afër kufijve me Serbinë dhe Hungarinë. Pasi që nuk ka fluturime të drejtpërdrejta nga Berlini, gjermani fillimisht do të zbresë në Budapest të Hungarisë dhe rrugën për në Rumani do ta vazhdojë me autobus. Ai e ka të njohur këtë rrugë, sepse e ka vizituar qytetin rumun rregullisht për 16 vjet me radhë.

Frizt, 36 vjeç, kishte shërbyer për një vit si vullnetar në një strehimore fëmijësh në periferi të Timisoara-s. Ai thotë se kjo ishte koha kur ra në dashuri me qytetin. Më vonë, ai i studioi politikën dhe administratën publike në Gjermani, Francë dhe Angli, por vazhdoi ta vizitonte rregullisht Timisoara-n.

Lajmin për të marrë pjesë në garën për kryetar të qytetit e dha përmes faqes së tij në internet, ku shkroi: “Pas dhjetë vjetësh në fushat e zhvillimit të planifikuar, diplomacisë dhe menaxhimit publik, dua që ta zbatoj pasionin tim për politika publike në një kontekst specifik që është bërë shumë i dashur për mua. Dua të bëhem kryetar i një qyteti që tanimë e quaj shtëpi: Timisoara”.

Ai ishte bërë i njohur në Rumani përmes pjesëmarrjes në protestat kundër korrupsionit dhe përmes udhëheqjes së projekteve të ndryshme sociale dhe kulturore, shkruan “Deutsche Welle”.


(Kosova Sot Online)