Nipi i Jakup Krasniqit e komenton nga stacioni policor vendimin e PZAP’it

  • 11 November 2019 - 16:24
Nipi i Jakup Krasniqit e komenton nga stacioni policor vendimin e PZAP’it

Pak minuta pas rrahjes që ndodhi në Ministrinë e Tregëtisë dhe Industrisë, ka reaguar Arian Krasniqi, djali i vëllaut të Jakup Krasniqit, që është edhe këshilltar në këtë ministri.

Derisa i njëjti dyshohet se e ka sulmuar fizikisht sekretarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rrecin, Krasniqi nuk ka folur për këtë çështje, mirëpo, ka zgjedhur që të komentojë vendimin e PZAP-së për votat nga Serbia dhe për rinumërimin.

“#NismaSocialdemokrate ruan kuptimin themeltar te demokracise, mandatet e deleguara nga sovrani nuk lejon te kontrabandohen nga asnje subjekt politik a makanizem shteteror”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ky publikim i tij vjen në kohën kur ai së bashku me Rrecin gjenden në polici për intervistim.

Rrahja ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa nga policia kanë njoftuar se janë në vend të ngjarjes.

 “Sot rreth orës 14:00 kemi pranuar një informatë për një përleshje fizike në MTI, ku një person ka pësuar lëndime trupore. Njësitet e nevojshme policore janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Raportohet se deri te sulmi kishte ardhur pasi që Krasniqi kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

Ndryshe, Arian Krasniqi është djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi ishte punësuar si këshilltar politik i ministrit në detyrë, Endrit Shala, i cili akoma po e mban pozitën.


(Kosova Sot Online)