Partia Laburiste e Britanisë goditet nga një sulm i madh kibernetik

  • 12 November 2019 - 12:18
Partia Laburiste e Britanisë goditet nga një sulm i madh kibernetik

Partia Laburiste e Britanisë së Madhe është përfshirë nga një sulm i sofistikuar dhe i gjerë kibernetik në sistemin e vet digjital. Zyrtarët e partisë thanë se sulmi ka ardhur nga një burim i panjohur, duke shtuar se janë marrë masa për mbrojtjen e të dhënave të anëtarëve.

Sulmi është raportuar të hënën në Qendrën Kombëtare për Siguri Kibernetike, e cila merret me këshillimin e organizatave për t’u mbrojtur nga sulmet e këtilla.

Kjo parti nuk njoftoi se cilat platforma digjitale saktësisht janë sulmuar, por merret vesh se janë përfshirë disa nga faqet për fushatë dhe zgjedhje. Besohet se ato përmbajnë të dhëna të votuesve dhe anëtarëve të kësaj partie.

“Kemi përjetuar sulm të sofistikuar kibernetik në platformat tona. Kemi marrë masa të shpejta dhe përpjekjet e sulmit kanë dështuar falë sistemeve tona të forta të sigurisë. Është ruajtur integriteti i të gjitha platformave tona dhe besojmë që nuk kanë rrjedhur të dhënat”, tha një zëdhënëse e Partisë Laburiste.

Ajo njoftoi se procedurat e sigurisë kanë ndikuar që të ngadalësohen disa aktivitete të fushatës, por se ky problem është zgjidhur të martën në mëngjes, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)