Kroacia synon ta përdorë euron nga viti 2024

  • 12 November 2019 - 12:40
Kroacia synon ta përdorë euron nga viti 2024

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha të martën se qëllimi strategjik i vendit të tij është që t’i plotësojë kriteret e nevojshme për fillimin e përdorimit të euros në fund të mandatit të qeverisë së ardhshme.

Më herët këtë vit, Kroacia ia kishte dërguar një letër Bankës Qendrore Evropiane për të kërkuar anëtarësim në Mekanizmin Evropian të Shkëmbimeve si parakusht për fillimin e përdorimit të valutës evropiane.

“Plani ynë është që të bëhemi pjesë e këtij mekanizmi në gjysmën e dytë të vitit 2020, ku besojmë se do të qëndrojmë dy vjet e gjysmë ose tre vjet. Më pas, mund ta përdorim euron më së shpejti nga viti 2023 ose nga viti 2024”, tha kryeministri kroat në një konferencë për ekonominë. 

Ai shtoi se në mesin e përfitimeve kryesore të përdorimit të euros do të ishin shmangia e rreziqeve të tanishme të valutës, ulja e vlerës së huave dhe konkurrenca më e fortë e ekonomisë kroate në raport me vendet e tjera.

Pavarësisht se Kroacia e ka valutën e vet kombëtare, kunën, shumica e kursimeve të shtetit apo rreth 75 për qind e tyre janë mbajtur në euro.

Kroacia po përpiqet që ta mbajë nën kontroll baraspeshën buxhetore dhe ta zvogëlojë borxhin publik në 60 për qind të prodhimit vendor gjatë viteve të ardhshme. Këto janë dy ndër kriteret për ta filluar përdorimin e euros, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)