“Dy kushtet themelore”, Kosovës i vjen paralajmërimi i rëndë për Serbinë

  • 12 November 2019 - 13:56
“Dy kushtet themelore”, Kosovës i vjen paralajmërimi i rëndë për Serbinë

“Pra, Serbia duhet të pranojë Kosovën për shtet sovran në kufijtë ekzistues që nga viti 1945 si dhe anasjelltas. Vetëm pas këtij akti vijimisht mundë të negociohet për çfarëdo teme të interesit reciprok, por kurdoherë konform me parimin juridik - ndërkombëtar të reciprocitetit dhe të përfilljes së ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Pra tutje Kosova dhe Serbia do të zhvillonin marrëdhënie bilaterale të ballansuara”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë dhe njohësit e së drejtës Kushtetuese, vazhdojnë ta kritikojnë dhe kundërshtojnë projektin e Edi Rames dhe Aleksandër Vuqiqit për mini Shengenin Ballkanik, duke e cilësuar atë si një projekt të dizajnuar për zhbërjen e Kosovës.

Të tillë e vlerëson këtë nismë që po diskutohet së fundi edhe profesori i njohur i së drejtës, Riza Smaka, i cili e mbështetë plotësisht deklarimin e ish Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka thënë se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta de faktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

Image
Riza Smaka

Smaka thotë se derisa Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për njohje reciproke si shtete të pavarura, mini Shengeni Ballkanik nuk është gjë tjetër veç se një nismë serbomadhe kryekëput kundër Kosovës.

Sipas Smakës, me të drejtë edhe Sali Berisha e lidh mini Shengenin me dështimin e idesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë që e kishin nisur Rama e Vuçiq të ndihmuar nga Baton Haxhiu.

“Kështu, pas dështimit të Vuqic me trojkën farëzezë të albanofobëve Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Baton Stanishiq për të ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë në emër të Serbisë së Madhe, serbomadhi Vuqic nxori nga sirtarët projektin e Jugosllavisë së Re de fakto të Serbisë së Madhe. Fillimisht së paku në rrafshin ekonomik por e sigurt dhe në atë politike. Ky është një projekt i rrethimit të Kosovës me një kuadër ligjor rajonal nënshtrues dhe paralizimit të potencialeve të saja gjatë dialogut për marrëveshjen me Serbinë”, ka shtuar Sali Berisha.

E lidhur me këtë, profesori i së drejtës, Riza Smaka ka thënë për “Kosova Sot Online” se për këtë temë janë dy parakushte themelore pa ta cilat vendi ynë nuk do te duhej të hynte në asnjë farë transaksioni politik, dhe e para është njohja mes të dy shteteve, kurse e dyta dëmet e luftës. 

“Një duhet të rregullohen politikisht, e rrjedhimisht juridikisht, raportet reciproke Kosovë – Serbi, si dy shtete të pa varura me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, si dhe duke referuar pajtueshmërisë së kompensimeve të dëmeve të luftës të shkaktuara nga regjimi militar serb në disfavorin e shqiptarëve, të të gjitha formave, edhe viktimave civile të gjitha moshave e gjinive, që janë shkaktuar nëpërmjet barbarizmave gjenocidiste. Po ashtu Serbia do të duhej lëvizura nga pozicioni i vetë refuzues deri tani, për të përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës e Serbisë të cilat kjo e fundit dinakërisht i ka shpërfillë qe sa vite që ato janë nënshkruar”, tha profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas Riza Smakës, këto forma të bashkëpunimit në baza rajonale janë të njohura ndërkombëtarisht si praktika pozitive për zhvillim dhe lëvizje të lirë, mirëpo në këtë rast nuk mundë të realizohet kjo iniciativë, derisa Kosova dhe Serbia nuk kanë të nënshkruar marrëveshjen finale për pajtim dhe njohje.

“Pra, Serbia duhet të pranojë Kosovën për shtet sovran në kufijtë ekzistues që nga viti 1945 si dhe anasjelltas. Vetëm pas këtij akti vijimisht mundë të negociohet për çfarëdo teme të interesit reciprok, por kurdoherë konform me parimin juridik - ndërkombëtar të reciprocitetit dhe të përfilljes së ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Pra tutje Kosova dhe Serbia do të zhvillonin marrëdhënie bilaterale të ballansuara”, tha profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)