Ankthi për nënën e zhdukur, as pas 6 ditësh nuk ka gjurmë të Remzije Mustafës

  • 12 November 2019 - 15:41
Ankthi për nënën e zhdukur, as pas 6 ditësh nuk ka gjurmë të Remzije Mustafës

Dhjetëra persona janë mobilizuar për t’i rënë në gjurmë 59-vjeçares, Remzije Mustafa nga Prishtina, e cila ka disa ditë që ka dalë nga shtëpia pa lënë asnjë gjurmë. Gjendja shpirtërore e saj, sipas familjes, muajt e fundit ka qenë pak e luhatshme. Familja e zonjës Remzije, e cila është nënë vetushqyese, po kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës ndihmë. Kushdo që mund ta ketë parë këtë zonjë në rrugë, apo diku tjetër, luteni që menjëherë ta njoftoni policinë apo familjen e gruas. Zonja është grua e qetë, andaj nëse e shihni ndalojeni e njoftojini organet e hetuesisë. Policia po kryen hetime, ndërkohë që për rastin mund të angazhohen edhe ekipet e FSK-së. Media ju sjell rrëfimin e dhimbshëm të kësaj familjeje, nëna e të cilës ka ditë që është zhdukur.

Nëse në rrugë hasni në një zonjë me flokë të bardhë, e dobët e me një gjatësi mesatare, e veshur me një xhup pa krahë (mont jelek) dhe me tuta (trenerka), e cila është duke u kërkuar tash e sa ditë, luteni që menjëherë ta njoftoni policinë. Kjo grua është nënë e tre fëmijëve, të cilët ka ditë që nuk po bëjnë gjumë duke e kërkuar.

REMZIJE MUSTAFA- nëse e shihni njoftojeni policinë

Ankthi i familjes Mustafa ka një javë që është duke vazhduar. Ata po bëjnë çmos duke bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale dhe duke shpërndarë fotografi të saj nëpër vende të frekuentuara në rrugët e kryeqytetit.

Media ka folur me familjarët e zonjës që ka dalë nga shtëpia, të mërkurën që shkoi.

Ata kanë treguar se javëve të fundit, nëna e tyre ka pasur disa shenja të lehta depresioni.

Zonja Remzije Mustafa ka tre fëmijë si dhe është nën vetushqyese ose kryefamiljare. Asnjëherë probleme brenda familjes kjo zonjë nuk ka pasur. Mirëpo, gjendja emocionale e saj kohëve të fundit kishte qenë pak e luhatshme. 

Motra e Remzijes, Ismete Mustafa, tregon për kontaktin e fundit që kishte pasur me motrën e saj.

“Motra ime është Remzije Mustafa, është 59-vjeçare. Jeton në lagjen Bregu i Diellit. I ka tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Është nanë vetushqyese. Fëmijët të gjithë janë të shkolluar. Në shtator jam pa me motrën, ngase jetoj në diasporë. Kur kam qenë në Kosovë, ajo ka qenë në gjendje shumë të mirë. Kemi qenë në pushim, jemi kthy, gjithçka ka funksionu normalisht”, thotë ajo.

Por, sipas saj, në shtator kishin nisur shenjat e para të çrregullimeve emocionale. Por, që për ndonjë problem, apo hall tjetër, tashmë e zhdukura asnjëherë nuk i ishte ankuar familjes.

“Por në shtator, gjendja emocionale e motrës ka filluar të ndryshojë pak. Nuk ka pasë edhe shumë vullnet. Ajo nga natyra është një person shumë i qetë. Ajo ka qenë edhe te një mjek, ka nisë me terapi aktuale. Për halle ose ndonjë problem konkret asnjëherë nuk ka thënë”, thotë motra e Remzijes.

Ismetja shpjegon se çfarë ka pasur veshur 59-vjeçarja ditën kur kishte dalë nga shtëpia.

“Një palë trenerka ngjyrë hiri me disa vija anësore nga poshtë deri lart, me ngjyrat gjelbër, e kuqe dhe e zezë. Ka pas një bluzë të gjatë, jo të trashë e cila anon nga ngjyra vjollcë. Ka një jelek, mont pa krah, ngjyrë të zezë. Ka të mbathura këpucë normale, ngjyrë të zezë deri tek zogu i këmbës. Kur ka dal nga shtëpia ka pasur syze me dioptri vendosur. Ka proteza në dhëmbë, të cilat manualisht i vendos vetë, ato mund t’i ketë hequr sot”, shpjegojnë familjarët.

Andaj, këta të fundit bëjnë thirrje që kushdo që mund ta ketë parë, apo e sheh një zonjë të ngjashme në rrugë, menjëherë t’i njoftojë ata, apo ekipet e tjera të policisë.

Ndërkohë, këta të fundit tashmë i kanë nisur hetimet për gjetjen e Remzije Mustafës. Për Express, zyrtarë nga Policia Rajonale e Prishtinës, kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë ndonjë rezultat.

“Lidhur me rastet “Person i zhdukur”, policia evidenton çdo rast që paraqitet në polici nga familjarë apo qytetarë të tjerë, të cilët njoftojnë se familjari ose i afërmi i tyre nuk dihet se ku ndodhet. Në të gjitha rastet si dhe rastin që ju potenconi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë është duke punuar intensivisht në gjetjen e personit të zhdukur, me ç’rast të gjitha stacionet policore në DRP Prishtinë janë njoftuar për këtë rast dhe janë duke marrë veprime për zbardhjen e rastit”, thuhet në përgjigjën e Policisë.

E ndërkohë, në raste të tilla, në kërkime për personat e zhdukur marrin pjesë edhe zyrtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK). Por deri më tani në këtë institucion të sigurisë nuk ka shkuar asnjë kërkesë. Kështu ka thënë Ibrahim Shala.

“Nuk kemi marrë asnjë kërkesë për kërkime”, thotë ai.

E policia, gjatë këtij viti (2019) deri më 28.10.2019, ka iniciuar rreth 190 raste të tilla, ndërsa gjatë 2018 kanë qenë të raportuara 247 raste.

(Kosova Sot Online)