Mediat botërore: Gana e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës

  • 13 November 2019 - 09:39
Mediat botërore: Gana e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës

Ani pse ende nuk ka ndonjë lajmërim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovë se Gana ka tërhequr njohjen e pavarësisë, Zëvëndësministri i Jashtëm i kësaj të fundit dje njoftoi se një vendim i tillë është marrë, pasi që më herët ishte ‘i nxituar’. Rreth kësaj kanë shkruar edhe disa prej mediave më të njohura në botë

Në një intervistë dhënë për mediumin francez AFP, numri dy i diplomacisë së Ganës, Charles Owiredu konfirmoi se shteti i tij ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.

“Qeveria e Ganës ka marrë vendim që të tërheqë njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo pasi që ky vendim ka qenë i nxituar”, ka thënë dje Owiredu, përcjell Gazeta Metro.

Rreth kësaj kanë raportuar edhe mediumet e njohura si Daily Mail dhe Yahoo News, të cilat kanë theksuar se këtë vendim, Gana ia ka konfirmuar Serbisë përmes një dokumenti,  transmeton Gazeta Metro.

“Në notën diplomatike të Ganës shkruan se ky vend ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës, të cilën më parë e kishte njohur si shtet në vitin 2012. Ky vendim i është komunikuar Serbisë, me të cilën Republika e Ganës gëzon mardhënie të mira”, shkruajnë këto media.

Kujtojmë se Shefi i Diplomacisë Kosovare, Behgjet Pacolli, hiq më pak se para dy muajve u deklarua se me Republikën e Ganës, Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe se së shpejti do të hapet edhe një Ambasadë atje.

Në anën tjetër, theksojmë se Serbia vazhdimisht ka bërë fushatë kundër Kosovës për tërheqje të njohjeve, ndërsa vetëm disa ditë më parë Ministri i Jashtëm i saj, Ivica Dacic, u deklarua se deri në fund të vitit edhe 4 vende pritet t’i tërheqin njohjet.

(Kosova Sot Online)