Paralajmërohet tensionimi i situatës në Kosovë, ja arsyeja!

  • 13 November 2019 - 12:19
Paralajmërohet tensionimi i situatës në Kosovë, ja arsyeja!

“Prandaj po them se pikërisht për këtë, do të jetë këtë vit një dimër i "nxehtë" për shkak të zhvillimeve të Gjykatës Speciale, e për tu ballafaquar me këtë duhet të kemi qëndrim dinjitoz, institucione stabile që i qëndrojnë afër qytetarit, dhe e mbajnë situatën nën kontroll, ngase trazirat dhe destabilizimin e vendit e dëshiron vetëm armiku i cili na vëzhgon nja jashtë dhe mundohet ta trazon situatën edhe duke vepruar me rrjetin e spiunazhit të vetë nga brenda”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po e përcjellin me kujdes situatën politike dhe të sigurisë në vend, të ndikuar mundësisht edhe nga zhvillimet që po ndodhin me ardhjen e ftesave të vazhdueshme nga Gjykata Speciale, për ish pjesëtar të UÇK-së për intervistim, qoftë si të dyshuar apo dëshmitar.

Ditëve të fundit janë shpeshtuar akoma më shumë ftesat nga Gjykata Speciale, ku tashmë të ftuar janë gati të gjitha figurat më të larta të shtetit dhe strukturës udhëheqëse të UÇK-së, prandaj analistët druajnë se mundë të kemi edhe zhvillime dramatike, me tensione e protesta të organizuara në kundërshtim të kësaj gjykate. 

Kështu mendon analisti politik, Bislim Aliu i cili këtë situatë e sheh në fokusin e paralajmërimit të bërë edhe nga OVL e UÇK-së, që ka bërë të ditur se mundë të ketë edhe protesta ndaj këtyre ftesave.

Image
Bislim Aliu

Aliu thotë se kjo gjendje me të cilën po ballafaqohet tani Kosova, kërkon që edhe partitë politike t’i tejkalojnë disa interesa të tyre të ngushta dhe ta formojnë më shpejtë qeverinë e re të vendit, në mënyrë që të menaxhohet situata si duhet.

“Fillimisht konsideroj se është koha që të formohen sa më shpejtë institucionet shtetërore në mënyrë që të ballafaqohen me çfarëdo situate kritike që mundë të ndodhë si provokim i i grupeve të caktuara në kundërshtim të Gjykatës Speciale, aktakuzave dhe arrestimeve që mundë të ndodhin së shpejti”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, fundi i vjeshtës dhe fillimi i dimrit do ta përcjell Kosovën me një situatë tepër të tensionuar, prandaj vendit u duhen institucionet stabile dhe vepruese që ta kenë situatën nën kontroll.

“Pa dyshim se tani po i afrohemi edhe dimrit, po i afrohemi kohës së festave të fundvitit me një situatë serioze, dhe është e pritshme që këtë herë do të vijnë edhe festat e fundvitit, me një dush të ftohtë nën ethet e veprimit të Gjykatës Speciale, në ngritjen e aktakuzave të para, për të dyshuarit në fazën e deritanishme”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se sipas raportimeve në medie, numri i ftesave po rritet dhe ato veç e kanë tejkaluar numrin prej rreth 200 ftesave të dërguara nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësi të ndryshme, të dyshuar dhe dëshmitar. 

“Deri më tani, ftesat e dërguara, nga Gjykata Speciale, arrijnë mbi 200 sosh, është tejkaluar numri 200, dhe në mesin e tyre, ka pasur edhe ish-eprorë dhe pjesëtar të UCK-së, ish deputet dhe deri te pozita e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, e së fundi edhe kreu i PDK-së dhe ish kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Pikëpyetje e madhe mbetet tani se a thua, kush mund të jetë në të ardhmen..?! Prandaj po them se pikërisht për këtë, do të jetë këtë vit një dimër i "nxehtë" për shkak të zhvillimeve të Gjykatës Speciale, e për tu ballafaquar me këtë duhet të kemi qëndrim dinjitoz, institucione stabile që i qëndrojnë afër qytetarit, dhe e mbajnë situatën nën kontroll, ngase trazirat dhe destabilizimin e vendit e dëshiron vetëm armiku i cili na vëzhgon nja jashtë dhe mundohet ta trazon situatën edhe duke vepruar me rrjetin e spiunazhit të vetë nga brenda”, përfundoi analisti politik, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)