Shkon në 21 numri i viktimave nga luftimet mes Izraelit dhe militantëve në Gaza

  • 13 November 2019 - 15:57
Shkon në 21 numri i viktimave nga luftimet mes Izraelit dhe militantëve në Gaza

Së paku 21 persona janë vrarë gjatë dy ditëve të sulmeve ajrore të Izraelit kundër grupit “Xhihadi Islamik” në Rripin e Gazës. Këto janë luftime më të ashpra në muajt e fundit, me ç’rast militantët kanë hedhur më shumë se 250 raketa si shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së një komandanti të tyre.

Pas disa orëve të qeta të natës së kaluar, dhuna rifilloi të mërkurën në mëngjes, kur grupi “Xhihadi Islamik” lëshoi raketa shtesë, ndërsa Izraeli u zotua se do të hakmerret me një valë të re të sulmeve ajrore.

“Xhihadi ynë është i vazhdueshëm dhe operacionet tona janë duke vazhduar”, thuhet në deklaratën e këtij grupi të armatosur, të cilët po e kërkojnë hakmarrjen për vrasjen e liderit të tyre, Baha Abu al-Ata nga forcat izraelite.

Ky grup njoftoi se të paktën katër persona të vrarë ishin pjesëtarë të tyre, ndërsa tre të tjerë i përkisnin një grupi tjetër më të vogël.

Këto përleshje e shënojnë fundin e një armëpushimi që ishte arritur para disa muajve mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësimin e Egjiptit.

Izraeli dhe Hamasi i kanë zhvilluar tri luftëra mes vete në të kaluarën. Grupi i Hamasit përkrahet nga Irani, armiku i përbetuar i Izraelit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)