Vjosa Osmani e sfidon Ramën për minishengenin: Po të ulemi në tavolinë, do ta bindi që e ka gabim

  • 14 November 2019 - 11:41
Vjosa Osmani e sfidon Ramën për minishengenin: Po të ulemi në tavolinë, do ta bindi që e ka gabim

Kundër idesë së Edi Ramës, Vuçiqit e Zoran Zaevit për krijimin e një minishengeni Ballkanik, ka dalë edhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani.

Në një intervistë për Opinion, Osmani madje ka thënë se është e gatshme të vendos edhe bast, që nëse ulet në tavolinë me Edi Ramën për të diskutuar rreth një nisme të tillë, do ta bind në fund kreun e qeverisë shqiptare që e ka gabim.

“Është me rëndësi që ai ta dëgjojë qëndrimin e qartë të Kosovës, sepse nuk është një qëndrim në eufori. Duhet të ulemi ta dëgjojmë njëri tjetrin, por nga argumentet që kemi, jam e bindur, që ne do ta bindim atë, që ka qenë nismë e gabuar. Mund të vëmë bast që kësaj radhe do ta… unë besoj shumë në fuqinë e argumenteve. Nëse ai është i gatshëm t’i dëgjoj ato, besoj që do të bindet edhe ai”, ka potencuar Vjosa Osmani. 

Ajo madje thotë se një nismë e tillë është e dështuar, dhe thotë se nuk duhet shkëmbyer akuza nga studiot televizive, por duhet ulur në një tryezë diskutimi.

“Duhet të ulemi, dhe t’ia shpjegojmë Ramës që e ka gabim. Është një nismë e dështuar. Por do të duhej të uleshim me kryeministrin e Shqipërisë, e të mos shkëmbejmë akuza nga studiot televizive”, ka thënë Osmani.

Sipas kandidates së LDK’së, nga një nismë e tillë përfiton vetëm Serbia, dhe thotë se Edi Rama paraprakisht do të duhej që të konsultohej me Kosovën për programin 700 pikësh që tashmë është krijuar nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia.

“Shqipëria do duhej së pari të ulej me Republikën e Kosovës dhe të diskutonte për këtë dokument 700 e ca pikësh”, ka shtuar tutje ajo.

Se Edi Rama ka bërë gabim që është konsultuar fillimisht me Beogradin për një nismë të tillë, e ka thënë edhe kreu i VV’së, Albin Kurti.

Sipas Kurtit kryetari i qeverisë së Shqipërisë do të duhej që fillimisht të fliste me Kosovën, pastaj me shtetet tjera, e me Serbinë në fund, pasi që sipas tij Beogradi mbetet i papenduar për krimet e bëra dhe vazhdon flirtin me Rusinë.

(Kosova Sot Online)