Ky është turku që u gjet i vdekur në Prishtinë, me identitetin e dy kosovarëve

  • 14 November 2019 - 14:03
Ky është turku që u gjet i vdekur në Prishtinë, me identitetin e dy kosovarëve

Nehat Nimani, ishte shokuar kur e kishte marrë lajmin se një shtetas turk ishte gjetur i vdekur në një banesë në Prishtinë. Tronditjen ia kishte shkaktuar fakti se i vdekuri mbante identitetin e vëllait të Nehatit, Lavdimit i cili jeton në Suedi.

Ai nuk po mund ta kuptonte se si ky turk i vdekur i kërkuar nga Interpoli për trafikim droge, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë, kishte emrin, mbiemrin, datën e lindjes, vendin e lindjes dhe numrin personal të vëllait të tij.

Të vërtetën e kishte kuptuar disa javë më vonë, kur një polic i kishte telefonuar për t’i treguar se vëllait të tij, i ishte vjedhur identiteti dhe i ishte shitur një trafikanti të drogës.

I shpalluri në kërkim, Nejdet Cesuroglu alias Lavdërim Limani, i dyshuar si pjesë e një grupi të madh trafikantësh të drogës, ishte gjetur i vdekur më 2 dhjetor të vitit të kaluar në një banesë në Prishtinë.

Përveç përvetësimit të identitetit të Lavdim Nimanit, Nejdet Cesuroglu kishte marrë edhe identitetin e Ljuljzim Shalja, një kosovar tjetër që jeton në Londër.

Nëpërmjet grupeve të krimit të organizuar të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai ka arritur që me të njëjtën fotografi dhe të njëjtat shenja të gishtërinjve të marrë dy shtetësi me të gjitha dokumentet në Kosovë, shkruan Insajderi.

Nehat Nimani, (1983) nga fshati Çabër mbanë në duar certifikatën e lindjes së vëllait të tij, Lavdimit, i cili jeton në Suedi që nga viti 1992.

Certifikata që mbanë në duar dëshmon ekzistencën e të vëllait me të gjitha të dhënat e nevojshme.

“Vllau nuk ka pasur dokument deri në 2017, kur iu ka dashtë me u martu me një vajzë të Klinës. E ka provu me nxjerrë certifikatë në Çabër, por nuk ka mundur ta marrë sepse kanë kërkuar një dokument të paraluftës të cilat na janë djegë. Ka shkuar në Klinë dhe e ka marrë certifikatën dhe ka ba kunor”, shpjegon ai.

Nehati, i cili arrin të sigurojë ekzistencën e familjes me shitje drush, tregon se një vit më herët e ka kuptuar se një turk e ka identitetin e vëllait të tij.

“Unë vjet kam ni që një turku i është dhanë identiteti i vëllaut. E kam njoftu vëllun. Më ka thanë s`di kurrgja. E kemi lanë pak si mas dore. Vëllu ka ardhë dy herë mas këtij rasti përmes aeroportit në Kosovë, por që asnjëherë se kanë kontaktu, as policia as kërkush”, shton ai, i shqetësuar me mundësinë që edhe vëllai i tij mund të pësojë nga kjo gjë.

Ai, madje thotë se kurrë vëllai i tij nuk është thirrur për të dhënë dëshmi.

Image

(Kosova Sot Online)