Policia me aksion nëpër lokalet e Istogut

  • 14 November 2019 - 14:19
Policia me aksion nëpër lokalet e Istogut

Policia e Kosovës me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Pejë, dega Istog, ka kontrolluar disa lokale në zonën e Istogut

Kontrollimi i lokaleve është bërë mbrëmjen e së mërkurës ndërkaq janë gjetur dhe konfiskuar dy OC sprej dhe janë hapur dy raste për mbajtje të paautorizuar të armës.

“Gjatë implementimit të këtij plani operativ, janë kontrolluar dy (2) lokale, ku tek personat e pranishëm në këto lokale janë gjetur dhe janë konfiskuar dy (2) OC sprej dhe janë hapur dy (2) raste për ‘mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës’”, bën të ditur policia përmes një komunikate.

Po ashtu, bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit të Shtetit lirohen në procedurë te rregullt.

Ndërkaq një person është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese në Dubravë.

“Në njërin nga lokalet gjatë kontrollit dhe verifikimit të personave, njëri nga të pranishmit është arrestuar me letërrreshtim dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese në Dubravë”, thekson policia.

(Kosova Sot Online)