Policia e Kosovës shkatërron rreth 600 armë të shkurtra të lehta

  • 14 November 2019 - 14:54
Policia e Kosovës shkatërron rreth 600 armë të shkurtra të lehta

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka shkatërruar rreth 600 armë të shkurtëra të lehta.

Policia e Kosovës nën mbështetjen dhe përkrahjen e UNDP-së shkatërroi një sasi të armëve të shkurtra dhe të gjata, të cilat janë konfiskuar gjatë realizimit të detyrave dhe hetimeve policore.

Procesit të shkatërrimit të armëve i ka parapri një konferencë në të cilën kanë marr pjesë, Zëvendësministri i MPB-së z.Izmi Zeka, Zëvendësdrejtori i PK-së z.Samedin Mehmeti, znj.Maria Suokko nga UNDP-ja dhe z. Hakan Ejdervik nga zyra e BE-se, të cilët vlerësuan se shkatërrimi i armëve të paligjshme, përbën një element të rëndësishëm të kontrollit të armëve në Kosovë si një metodë efektive për reduktimin e numrit aktual të armëve në tregun e paligjshëm e që reflekton në ngritjen e nivelit të sigurisë.

Të gjitha armët dhe municioni i akumuluar iu përkasin llojeve të ndryshme, përderisa shkatërrimi i tyre është bërë me urdhëresë të organeve të drejtësisë, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara ligjore.

Në krahasim me metodat e tjera në dispozicion, të tilla si shitje ose dhuratë, shkatërrimi siguron se armët nuk do të gjejnë rrugën e tyre (përsëri) në tregun e paligjshëm dhe në këtë mënyrë mund të ndërtohet besim në përpjekjet e përgjithshme për të parandaluar, luftuar dhe çrrënjosur tregtinë e tyre të paligjshme.

(Kosova Sot Online)